RMV, institucionet shëndetësore të përgatitura me ekipe kujdestare për Vitin e Ri, thirrje për festime të qeta dhe të përgjegjshme

Ministria e Shëndetësisë, informon se të gjitha institucionet publike shëndetësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në prag të festës së ndërrimit të viteve, janë të gatshme me ekipe të shërbimit kujdestar për të siguruar kujdesin e nevojshëm shëndetësor për pacientët, transmeton Portalb.mk.

“Për të shmangur pasojat e padëshiruara si helmimet nga alkooli dhe aksidentet në trafik, apelojmë qytetarët që të festojnë në mënyrë të qetë dhe dinjitoze duke konsumuar pije alkoolike në sasi të moderuar dhe të kenë kujdes nga marrja e tepërt e ushqimit. Parandalimi i dehjes nga alkooli në natën e ndërrimit të viteve, është i rëndësishëm për shëndetin e individit dhe shëndetin e njerëzve të dashur”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Bëhet thirrje që të mos përdoren mjete të ndryshme piroteknike që mund të shkaktojnë lëndime të rënda trupore.