RMV, fëmijët në kopshte do të marrin një kilogram fruta në javë

Fëmijët në kopshte gjatë pesë muajve të vitit do të marrin fruta të freskëta sezonale çdo ditë ose çdo javë çdo fëmijë do të marrë nga një kilogram. Këtë e bënë të ditur sot ministrat e Punës dhe Politikës Sociale dhe të Bujqësisë, Jovanka Trençevska dhe Ljupço Nikollovski, në kuadër të Programit për nxitjen e konsumit të frutave të freskëta për vitin 2023, të cilin e promovuan sot në çerdhen “13 Nëntorit” në Komunën Qendër, transmeton Portalb.mk.

Programi përfshin të gjitha kopshtet e vendit, përkatësisht rreth 38 mijë fëmijë.

“Fëmijët nga institucionet parashkollore do të marrin fruta të freskëta sezonale nga prodhimi shtëpiak si kajsi, pjeshkë, kumbulla, dardha dhe mollë gjatë 5 muajve, pra çdo fëmijë duhet të marrë nga një kilogram fruta në javë. Ky program është i përkrahur dhe është donacion i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Trençevska.

Ministri Nikollovski theksoi se ky program është vazhdimësi e asaj që ka filluar ministria vitin e kaluar, por tani me dyfishin e buxhetit.

“Për këtë vit kemi ndarë 40 milionë denarë me të cilat do të blihen 880.000 kilogramë fruta të klasit të parë, së paku 90.000 kilogramë kajsi, 175.500 kilogramë pjeshkë, 168.000 kilogramë kumbulla, 74.000 kilogramë dardha, 37.000 kilogramë molla. Çdo fëmijë do të marrë një kilogram fruta të stinës një herë në javë. Ky është qëllimi që fëmijët të hanë fruta të freskëta të përshtatshme për sezonën në të cilën prodhohen. Janë të mbuluar 38 mijë fëmijë nga të gjitha çerdhet në vend”, tha Nikollovski.

Lidhur me ushqyerjen në çerdhe, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale foli edhe për iniciativën e Ministrisë për rishikimin e Rregullores për standardet dhe normat e të ushqyerit në kopshte. Ajo theksoi se në bashkëpunim me kompaninë “Novo Nordisk” dhe UNICEF-in dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucionet përkatëse, janë bërë ndryshime në rregullore që parashikojnë rritje të konsumit të frutave dhe perimeve të freskëta.

“Pas kësaj, lista mujore e ushqimeve duhet të jetë e ndryshme çdo ditë sepse klima jonë ka një përzgjedhje të pasur të frutave dhe perimeve për përgatitjen e vakteve në kopshte”, theksoi Trençevska.

Ministrja njoftoi gjithashtu se do të ketë edukim për kujdesin dhe parandalimin e shëndetit në kopshte dhe në mjedise familjare përmes ushqyerjes adekuate dhe korrekte. Këto trajnime do të përfshijnë të gjitha profilet profesionale – punonjësit në kopshte, por edhe fëmijët dhe prindërit.