Bytyqi: Duhet të ketë metodologji të njëjtë për pagat në sektorin publik
Pagat në sektorin publik janë të rregulluara me mbi 200 akte të ndryshme ligjore dhe nënligjore. Për fat të keq, patjetër duhet të pranojmë se dikush qëllimisht ka dashur që të mos mbajë llogari në shtetin tonë për rregullimin e sistemit për paga në sektorin publik. Zgjidhja është metodologjia e njëjtë për paga në të gjithë sektorin publik, thotë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, njofton Portalb.mk.
“Kjo do të thotë metodologji e njëjtë për paga edhe për bashkëqytetarin tim i cili punon në vend më të ulët edhe për kryetarin e shtetit përfshirë edhe kryeministrin. E njëjta metodologji për paga do të harmonizohet me sindikatat dhe kur do ta bëjmë të drejtë dhe solidare do të tregohet në vepër. Dua të vendos zgjidhje sistemore. Vlerësoj se në shtetin tonë mjaft ishte me shantazhe dhe bisedime për paga dhe nëse duhet dhe sa duhet njerëzit të paguhen. Njëherë e përgjithmonë duhet që të kujdesemi të miratojmë zgjidhje sistemore. Kjo është fryma e re e krijimit të zgjidhjeve dhe politikave në vendin tonë”, tha Bytyqi.
Ai shtoi se në këtë periudhë, në fund janë me bisedimet me sindikatat për marrëveshjen e përgjithshme kolektive dhe metodologjinë e re të pagave e cila më tej do të harmonizohet me të gjitha ligjet në shtet.
Gjatë ditës së djeshme, ministri i financave Fatmir Bytyqi deklaroi se tani nuk është koha më e volitshme për harmonizim dhe rritje të rrogave në sektorin publik sepse do të ketë implikime të inflacionit dhe rekomandoi që rritja e rrogave të implementohet prej 2024.
Së fundmi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi një dispozitë të Ligjit për rrogat mbi koeficientët e rrogave me të cilën u mundësua që funksionarëve të zgjedhur publikë t’u rriten rrogat për 78 përqind. Dispozita për koeficientët e rrogave e miratuar në vitin 2012, u kontestua pranë Gjykatës Kushtetuese nga një avokat. Me të përveç funksionarëve në Qeveri janë të përfshirë edhe deputetët, kryetarët e komunave, gjykatësit dhe personat e tjerë të zgjedhur.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nga Qeveria thanë se ky vendim është final dhe duhet të respektohet. Mirëpo, kjo nuk domethënë se automatikisht do të rriten rrogat e të gjithë personave të emëruar për 78 përqind.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë finale dhe duhet të respektohen, mirëpo këto vendimet nuk e ndalojnë ligjdhënësin, gjegjësisht Kuvendin që të bëjë ndryshime ligjore të cilat më pas do ti aplikojë pushteti ekzekutiv. Roli i Gjykatës Kushtetuese është që të bëjë vlerësim se a janë ligjet në pajtim me Kushtetutën, theksuan nga Gjykata Kushtetuese.
Kryetari i shtetit Stevo Pendarovski, mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, tha se Qeveria duhet të bëjë çdo gjë që është në fuqinë dhe kompetencat e saj, e kompetenca ka, që rrogat e funksionarëve prej te ai e deri ne pushtetet lokale të mbeten në nivelin e njëjtë në të cilin janë tani, me ndryshim të koeficientëve dhe rrogës bazë.