RMV, diskutohet mbi Ligjin për Gjuhët, në prag vendimit të Gjykatës Kushtetuese
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut ishte temë diskutimi të enjten nga njohës ligjorë, një muaj para se Gjykata Kushtetuese e vendit të vendosë për fatin e tij, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ish-gjykatësi Nuredin Lloga nga Struga, i cili gjatë viteve ’80 punoi si sekretar në Gjykatën e Punës së Bashkuar në Prishtinë, konsideron se miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut në vitin 2018 ishte i pashmangshëm, duke qenë se deri në atë kohë gjuha maqedonase ishte e vetmja gjuhë zyrtare në vend dhe se mungonte një ligj i tillë.
“Ky ligj nuk ishte i përkryer, por me të u shtruan themelet për mbrojtjen dhe realizimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të nevojshme”, tha ai.
Këto komente, Lloga i bëri të enjten në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), në cilësinë e autorit – gjatë prezantimit të një doracaku mbi format e shkresave penale sipas këtij ligji, në gjuhën shqipe.
“Shtytës për këtë doracak, ka qenë pikërisht miratimi i Ligjit për gjuhët, me përdorim të zgjeruar, por pa hequr atë 20 përqindëshin”, tha Lloga duke nënvizuar se edhe në Kosovë ka ligj të ngjashëm, por që përdoret pa kufizime.
Ky ligj ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese, bashkë me Balancuesin, i cili u shfuqizua më 9 tetor nga ajo. Të dyja këto çështje u përfshinë në rendin e ditës pak muaj pasi VMRO-DPMNE-ja mori pushtetin në Maqedoninë e Veriut, parti kjo që i kishte kundërshtuar më herët të dyja ligjet.
Juristi Enkelej Ajazi, në anën tjetër, tha se tani është e paimagjinueshme që procedurat gjyqësore të zhvillohen në gjuhën shqipe.
Ai shtoi se, sipas dispozitave kalimtare të këtij ligji, të gjitha ligjet që nuk janë në përputhje, duhet të harmonizohen brenda një afati gjashtëmujor.
Ndryshe, shtatë vjet pas miratimit të ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese në dhjetor do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji. Problemi nuk qëndron te ligjet që janë burim i marrëveshjes së Ohrit, por te “dështimi i politikës që 20 vitet e fundit nuk arriti t’i bëjnë këto ligje imune ndaj mendjeve shoviniste nën petkun e politikanit apo gjykatësit”, thanë ekspertët juridik për Portalb.mk.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të. Seanca për vlerësimin e kushtetuetshmërisë të këtij ligji fillimisht ishte caktuar për me 5 tetor por për shkak të ndjeshmërisë së situatës, u shty për më 11 dhjetor.
- LEXO: Zëvendëskryeministri Fetai raportoi një kërcënim që mori në e-mail: Nuk mund të qëndroj indiferent
- LEXO: Përdorimi i shqipes në Maqedoninë e Veriut nën llupën e Kushtetueses: Çfarë të presim dhe ku gaboi politika për 20 vite?
- LEXO: Ligji i gjuhëve, në dorë të gjykatësve Kushtetues
- LEXO: Maqedoni, u miratua ligji për përdorimin e gjuhëve
- LEXO: Protesta para Qeverisë kundër ligjit të gjuhëve