RMV, diaspora do të votojë vetëm zgjedhjet presidenciale, nuk janë regjistruar mjaftueshëm mërgimtarë për parlamentaret

Qytetarët e Maqedonisë jashtë vendit do të mund të votojnë vetëm për zgjedhjen e presidentit sepse nuk ka numër të mjaftueshëm të regjistruar për të votuar në zgjedhjet parlamentare, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave nga uebfaqja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) nga mbrëmë, për të votuar jashtë vendit janë regjistruar 2.954 mirgimtarë. KSHZ ka pranuar 2610, dy janë të papërpunuara dhe 342 janë refuzuar. Ky numër mund të ndryshojë nëse Ministria e Punëve të Jashtme, jo më vonë se 21 mars, në KSHZ, në përputhje me orarin zgjedhor, paraqet raportet nga qytetarët tanë të dorëzuara në zyrat diplomatike-konsullore, zyrat përfaqësuese.

Zëdhënësja e KSHZ-së, Ljupka Guguçevska, javën e kaluar sqaroi se pa dallim se sa aplikime janë pranuar për votim në diasporë, votimi për zgjedhjet presidenciale do të organizohet, por për të organizuar votim për zgjedhjet parlamentare është e nevojshme të regjistrohen të paktën 5.355 votues në të 52 misionet konsullore apo zyrat diplomatike jashtë vendit.

Siç tha ajo, duke pasur parasysh se presidenti i shtetit zgjidhet sipas sistemit mazhoritar në të gjithë territorin e shtetit, si dhe në të gjitha kontinentet ku jetojnë qytetarët tanë dhe konsiderohet si një njësi zgjedhore, zgjedhjet do të organizohen.

“Për të hapur një vendvotim të PDK-së apo një zyrë konsullore të vendit tonë jashtë vendit, duhet të regjistrohen së paku dhjetë votues”, tha Guguçevska.

Votimi për president më 24 prill dhe për raundin e dytë më 8 maj, në bazë të aplikimeve të pranuara, duhet të organizohet në 24 vende. Për organizimin e zgjedhjeve në një nga përfaqësitë tona diplomatike-konsullore është e nevojshme të regjistrohen së paku dhjetë zgjedhës.

Kërkesat më të pranuara për votim janë në Gjermani – 578, pastaj në Slloveni – 327, në SHBA – 241, në Zvicër – 182, në Kanada – 122, në Austri – 116, në Itali – 101, në Australi – 97, në Belgjikë – 91. Ndër vendet ku ka më pak të regjistruar është Kina ku janë 12 qytetarë tanë që duan të votojnë në zgjedhje.

Lidhur me zgjedhjet parlamentare, Guguçevska sqaroi se deputetët zgjidhen edhe në njësinë zgjedhore jashtë vendit sipas modelit proporcional, gjegjësisht ka një kusht tjetër si një lloj regjistrimi. Për t’u zgjedhur, një deputet i njësisë zgjedhore 7 duhet të fitojë të paktën të njëjtin numër votash si deputeti me numrin më të vogël të votave në territorin e shtetit të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Për këto zgjedhje ky numër është 5.355. Pra, të paktën 5.355 votues duhet të jenë të regjistruar në të 52 përfaqësitë konsullore apo zyrat diplomatike jashtë vendit që të mund të organizohen zgjedhje të tilla. Ndërsa gjithashtu për një kandidat duhet të votojnë së paku 5.355 votues që ai të zgjidhet”, sqaroi Guguçevska.

Kujtojmë se tashmë ka përfunduar afati për kontrollimin e listës zgjedhore dhe afati për paraqitjen e kandidaturave për president.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.