RMV, dhjetë dhunues gjatë natës hynë në një shtëpi të grupeve të vogla me fëmijë në rrezik

Edhe pas një muaji ende nuk ka asnjë reagim nga institucionet pas hyrjes së personave të jashtëm në një shtëpi të grupit të vogël ku në shënjestër ishin fëmijët e rrezikuar me probleme arsimore -sociale dhe ku u rrezikua siguria e edukatorit kujdestar i cili nuk mund t’i mbrojë ata i vetëm, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

Asgjë nuk ka ndryshuar që nga hyrja e dhunshme e rreth 10 personave në shtëpinë e grupit të vogël për fëmijë që ndodhi më 26 shkurt rreth orës 11:00 të natës. Kjo bandë e dhunshme gjatë hyrjes i ka zgjuar të gjithë fëmijët, ndërsa edukatorit kujdestar, i cili ka qenë i vetëm në turn, ia ka marrë celularin kur ka dashur ta thërrasë policinë dhe t’i shpëtojë fëmijët dhe veten e tij. I janë kërcënuar për jetën.

Një ditë pas kësaj ngjarjeje reagoi ashpër Monika Çekalloviq, punonjëse sociale, e cila kërkoi mbrojtje në emër të të gjithë kolegëve edukatorë që punojnë në shtëpi të grupit të vogël dhe pyeti nëse duhet të vritet dikush që të reagojnë Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Ajo thotë se ata si kolektiv punues nga policia kanë marrë një “këshillë mjaft edukative dhe të dobishme”: – Herën tjetër, mos e hapni derën!

Për këtë hyrje të banditëve në një shtëpi të grupit të vogël në Shkup, si dhe për revoltën e edukatorëve që janë të pambrojtur dhe që janë lënë vetëm që të kujdesen kur rrezikohet siguria e tyre dhe e fëmijëve për të cilët ata janë përgjegjës, përgjigje kërkuam nga kabineti i ministrit të punës dhe politikës sociale, Gjoko Vellkovski.

Sipas përgjigjes, as ai nuk ka ndërmarrë asgjë në këto pak javë pas ngjarjes, ndërsa sigurimi i është lënë një agjencie private, punonjësit e së cilës nuk qëndrojnë atje 24/7, por vijnë pasi të kenë marrë thirrje nga edukatorët, ndërsa për të ardhur ju duhen të paktën 20 minuta.

“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale është e informuar për të gjitha zhvillimet në shtëpinë e grupit të vogël për përkujdesjen e fëmijëve me çrregullime të sjelljes dhe probleme arsimore – sociale në Shkup. Sulmi është raportuar tek autoritetet hetimore. Ne ofrojmë mbështetje të nivelit më të lartë për menaxhmentin e institucionit për mbrojtjen e fëmijëve, me ç’rast janë hartuar udhëzime urgjente për të garantuar siguri maksimale të përdoruesve dhe veprime parandaluese. Për momentin, objekti sigurohet nga një agjenci private, ndërsa është i nevojshëm një riorganizim i procesit të deinstitucionalizimit, me një përfshirje të menjëhershme të trajtimeve nga aspekti shëndetësor dhe social, të cilat, për fat të keq, tani për tani mungojnë në shtëpitë e grupeve të vogla, u përgjigjën nga kabineti i Vellkovskit.

Nga atje shtojnë se në të ardhmen është planifikuar një rritje e buxhetit të dedikuar ekskluzivisht për avancimin e procesit të deinstitucionalizimit.

Çekalloviq parashtron pyetjen se si mund të ketë sigurim gjatë gjithë kohës në kopshte dhe shkolla, ndërsa në këto shtëpi me fëmijë me probleme arsimore dhe sociale, siguria e fëmijëve dhe kolegëve t’i lihet butonit të panikut dhe kreativitetit të edukatorit kujdestar?

“Në këto shtëpi janë të vendosur fëmijë me probleme arsimore dhe sociale. Një pjesë e fëmijëve, me shumë përpjekje, punë dhe përfshirje në një sërë aktivitetesh, kanë arritur ndryshime pozitive në sjelljen e tyre, që në fakt është edhe qëllimi i këtij trajtimi – ndërtimi i kapaciteteve të shëndetshme personale, shprehive të shëndetshme, përfshirja në një proces të rregullt arsimor dhe integrimi pozitiv në shoqëri. Për fat të keq ka edhe fëmijë që edhe krahas të gjitha përpjekjeve mbeten fëmijë në konflikt me ligjin, për të cilët tashmë për vite me radhë ne i alarmojmë gjykatat, prokuroritë publike, organet e kujdestarisë, se kjo metodë e përkujdesjes nuk është ajo e duhura dhe se sipas sjelljes së tyre ata duhet të vendosen në një formë tjetër të mbrojtjes”, thotë Çekalloviq në përpjekje për t’i zgjuar autoritetet kompetente.

Ajo paralajmëron se forma e hapur e mbrojtjes nuk ofron mundësi shtesë për trajtimin e duhur të fëmijëve me rrezik të lartë. Ai bën pyetjen se si mund të ketë para për mbushjen e administratës, por jo për siguri në këto shtëpi të grupeve të vogla?

“Në vendin tonë presim të ndodhë diçka katastrofale që pastaj të veprojmë në mënyrë sistemike. Mos e harroni këtë herën tjetër që të lexoni për një ngjarje ku gjithmonë etiketohen edukatorët që kanë qenë në turn (lexo – një edukator gjatë turnit, sepse nuk ka fonde për punësimin e ofruesve të shërbimeve, por gjithmonë ka për punonjës në administratë), ndërsa asnjëherë faktorët relevant që i marrin vendimet përfundimtare në lidhje me këta fëmijë”, thotë e indinjuar Çekalloviq.

Ndër të tjera, ajo rikujton se këta fëmijë janë nën kujdestarinë e shtetit, pra janë fëmijë të shtetit dhe për çdo lëshim më shumë ka faj sistemi, sesa ato.

“Më lind pyetja: si duhet të reagoj unë si edukatore kujdestare kur dikush mi shqetëson përdoruesit e shtëpisë ku ata duhet të ndihen sikur të ishte shtëpia e tyre, si duhet të reagoj në rast se dikush sulmon një nga përdoruesit e shtëpisë dhe në çfarë rreziku futem unë? Si më mbron sistemi mua? Dhe po! Ky do të kishte qenë lajmi kryesor nëse do e kishte pësuar një nga përdoruesit ose ndonjë nga kolegët, ndoshta do të ishte një motiv që dikush të fillojë t’i përmirësojë kushtet në të cilat punojmë, ato kushte që i premtoni prej vitesh dhe që deri më sot asgjë nuk është realizuar”, i pyet Çekalloviq autoritetet.

Deri në publikimin e tekstit, nga Ministria e Punëve të Brendshme morëm përgjigje nëse janë identifikuar dhe kapur 10 sulmuesit që kanë kërcënuar jetën e banorëve në shtëpinë e grupit të vogël, duke pasur parasysh se në shtëpinë e grupit të vogël që u sulmua ka pasur edhe kamera sigurie.