Kallëzim penal ndaj një banori të Ohrit për pornografi me fëmijë, i është caktuar paraburgim prej 30 ditësh
Sektori për Kriminalitet Kompjuterik pranë SPB-së së Ohrit ka ngritur kallëzim penal ndaj 42-vjeçarit A. D. nga Ohri, për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e veprës penale të prodhimit dhe shpërndarjes së pornografisë me fëmijë, sipas nenit 193-a të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Pas marrjes së urdhrit gjyqësor, zyrtarët policorë të SPB-së së Ohrit, në koordinim me Sektorin për Kriminalitet Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 20 tetor kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar një kompjuter desktop dhe video me përmbajtje eksplicite të pornografisë me fëmijë.
Banori i Ohrit është privuar menjëherë nga liria, ndërsa gjyqtari i procedurës paraprake i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.