RMV, deri në 350 thirrje në muaj në linjën SOS nga viktimat e dhunës në familje
Deri në 350 thirrje në muaj bëhen në linjën SOS falas 141 700, dedikuar për ndihmë viktimave të dhunës në familje. Linja ekziston që nga viti 1994, është aktive 24 orë në ditë dhe mund të arrihet duke telefonuar nga çdo operator celular, pa asnjë prefiks, transmeton Portalb.mk.
“Numri i viktimave mund të jetë deri në 100, ndërsa pjesa tjetër e thirrjeve mund të jenë disa herë nga i njëjti person, sepse ose dhuna përsëritet ose viktima ka nevojë për informata shtesë”, shpjegon Savka Todorovska, kryetare e Këshillit Nacional për barazi gjinore.
Çdo e treta grua ka mbijetuar një formë të dhunës me bazë gjinore dhe/ose në familje. Çdo vit ka 1500 viktima të reja të regjistruara të dhunës, por ky numër është afërsisht vetëm 2 për qind e rasteve aktuale të dhunës. Gjysma e grave në Maqedoninë e Veriut ishin viktima të dhunës nga partneri intim. Çdo e dytë grua është viktimë e dhunës psikologjike dhe një në 7 gra është viktimë e dhunës fizike ose seksuale. Këto janë të dhëna që i ndau bashkëshortja e Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Elizabeta Gjorgievska, në fund të vitit që lam pas.
Ajo, duke folur në aktivitetin “Të bashkuar kundër dhunës me bazë gjinore”, në mbështetje të Rrjetit Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, theksoi se këto nuk janë vetëm shifra.
“Këto janë jetë njerëzore të plagosura, shpesh të mbetura në margjina sociale dhe paraqesin një pasqyrë trishtuese të shoqërisë sonë, për të cilën duhet të ketë zero tolerancë”, tha Gjorgievska, duke shtuar se duhet të dërgojmë mesazh së bashku se jemi të bashkuar në luftën kundër dhunës me bazë gjinore, “një luftë që vazhdon dhe kërkon hapa të përkushtuar strategjikë dhe taktikë sensibilizues”.
Dhuna me bazë gjinore nuk është vetëm temë për të cilën duhet të diskutojmë, por realitet për shumë bashkëqytetare tona dhe përditshmëri e jetuar nga shumë gra, vajza, nëna.