MPB-ja do të suspendojë gjashtë policë për përdorim të tepruar të forcës, janë konstatuar parregullsi
Gjashtë zyrtarë policorë do të përballen me procedurë disiplinore dhe suspendim nga vendi i punës për përdorim të tepruar të forcës fizike dhe shkaktim të lëndimeve trupore gjatë ushtrimit të autorizimeve policore. Kështu bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), e cila po heton ngjarjen e ndodhur më 7 tetor 2026, shkruan Portalb.mk.
Sipas MPB-së, kontrollet e kryera, incizimet e siguruara dhe deklaratat e dëshmitarëve kanë zbuluar një sërë parregullsish në veprimet e zyrtarëve policorë.
“Për gjashtë zyrtarë policorë do të nisë procedurë për shkelje të rendit dhe disiplinës së punës, ndërsa do të shqiptohet masa e largimit nga vendi i punës – suspendim”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Nga ministria bëjnë të ditur se po zhvillohen edhe veprime lidhur me kallëzimet për ngjarjet me karakter penal, të dorëzuara në Departamentin për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale dhe në Sektorin për Punë të Brendshme në Shkup.
Sipas njoftimit, prokuroritë kompetente kanë lëshuar urdhra për ekspertizë, të cilët janë duke u zbatuar. MPB-ja thekson se pas dokumentimit të të gjithë materialit provues do të dorëzohen parashtresat përkatëse.
Ndryshe, dy të rinjtë më 7 tetor u keqtrajtuan brutalisht nga policia. Rasti ka nxitur reagime të ashpra në opinionin publik si dhe të partive politike. Nga BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe Lidhja Shqiptare, kanë kërkuar hetim të plotë, transparent dhe të paanshëm për pretendimet e dy të rinjve se janë keqtrajtuar nga policia në Shkup. BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët kanë kërkuar përgjegjësi institucionale, ndërsa BDI-ja ka kërkuar edhe dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni. Lidhja Shqiptare ka kërkuar përgjegjësi penale, komanduese dhe politike, përfshirë dorëheqjen e ministrit Pançe Toshkovski dhe të zëvendësministrit Iseni, si dhe u ka bërë thirrje përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare të reagojnë. Pas reagimeve, MPB-ja njoftoi se do ta hetojë rastin, ndërsa më vonë bëri të ditur se nga kontrollet, incizimet dhe deklaratat e dëshmitarëve janë konstatuar parregullsi në veprimet e policisë dhe se ndaj gjashtë zyrtarëve policorë do të nisë procedurë disiplinore dhe do të shqiptohet masa e suspendimit.