BDI kërkoi të publikohet raporti i plotë policor për rastin e dy të rinjve, Iseni: opozita shqiptare tentoi ta kthente rastin në betejë politike

Bashkimi Demokratik për Integrim i ka kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme që të publikojë raportin e plotë policor lidhur me ndërhyrjen e 7 tetorit, gjatë së cilës dy të rinj nga Saraji, të moshës 21 dhe 23 vjeç, që janë rrahur brutalisht nga pjesëtarë të policisë, transmeton Portalb.mk.

Nga kjo parti thanë se, në opinion janë paraqitur versione kundërthënëse për atë që ka ndodhur – Të rinjtë dëshmojnë se janë goditur edhe pasi janë neutralizuar dhe prangosur, ndërsa në publik janë plasuar pretendime për rezistencë ndaj policisë dhe marrje të armës së një zyrtari policor.

“Prandaj kërkojmë publikimin e raportit fillestar të patrullës policore, procesverbaleve dhe dokumentacionit përkatës, duke respektuar të dhënat personale dhe integritetin e hetimit. Kush e ka përpiluar raportin? Çfarë kanë deklaruar policët pjesëmarrës në intervenim? A përputhet versioni i tyre me pamjet që tashmë i ka parë opinioni? Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje zyrtare. Nëse ka pasur tejkalim të autorizimeve policore, përgjegjësia duhet të përcaktohet për secilin zyrtar të përfshirë, pa përjashtim. Qytetarët kanë të drejtë ta dinë të vërtetën, ndërsa policia ka detyrim të japë llogari për përdorimin e forcës. Raporti duhet të bëhet publik. Përgjegjësia duhet të jetë e plotë. Asnjë uniformë nuk mund të shërbejë si mbrojtje nga ligji”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Ndërkaq, zëvendësministri i Brendshëm, Astrit Iseni në një konferencë për media tha se, institucionet reaguan në kohë rekord dhe ndaj tyre kanë nisur procedurat disiplinore. Ai tha se, MPB-ja ka kryer pjesën e saj të punës, ndërsa procedurat e mëtejshme i udhëheq Prokuroria.

“Dhuna policore nuk ka vend në vendin tonë. Uniforma është për ta mbrojtur qytetarin, jo për ta rrahur. Asnjë dyshim ndaj një personi nuk e arsyeton keqtrajtimin e tij. Por, sapo dolën pamjet, opozita shqiptare tentoi ta kthente dhunën ndaj dy të rinjve në betejë politike. Nisën akuzat, propaganda dhe përpjekjet për t’i dhënë ngjyrim etnik këtij rasti. Suspendimi i gjashtë policëve është dëshmi se sistemi funksionon. Kjo është fitore e integritetit përballë manipulimeve. Fitore e arsyes së shëndoshë ndaj përpjekjeve për të nxitur tensione ndëretnike”, tha Iseni.

Sa i përket kërkesës së BDI-së për dorëheqjen e tij nga pozita e zëvendësministrit, ai tha se, gjatë qeverisjes 20 vjeçare të BDI-së ndodhën ngjarje makabre, shumë prej të cilave lidhen me veprimet e policisë dhe të institucioneve të drejtësisë.

“Koha e rasteve të montuara, e vrasjeve, e hajdutërive dhe e skenarëve për hesape politike ka marrë fund me BDI-në në opozitë. Ka marrë fund edhe koha kur dikush mendonte se mund të bënte ç’të donte pa dhënë llogari”, tha Iseni.

Ndryshe, dy të rinjtë më 7 tetor u keqtrajtuan brutalisht nga policia. Pas hetimit të rastit MPB-ja njoftoi se kontrollet, incizimet dhe deklaratat e dëshmitarëve janë konstatuar parregullsi në veprimet e policisë dhe se ndaj gjashtë zyrtarëve policorë do të nisë procedurë disiplinore dhe do të shqiptohet masa e suspendimit.