SHBA – Hungari: Marrëdhëniet dypalëshe në pikë krize
Nëse u hedh një sy këtyre ditëve gazetave të afërta me qeverinë në Hungari, padyshim të lind pyetja, se ku mbizotëron në fakt lufta në Europë dhe cili vend është shkaktari i saj. Invazioni i Rusisë në Ukrainë cilësohet si “kriza ukrainase”. Në të kundërt si agresor paraqitet SHBA. SHBA po cënojnë sovranitetin e Hungarisë dhe po e „nxisin vendin në një luftë”, thuhet njëzëri në mediet e Orbanit, transmeton DW.
Tone të tilla antiamerikane në Hungari nuk janë dëgjuar më prej kohësh madje as edhe në vitet e fundit të diktaturës socialiste. Shkas aktual u bë paketa e sanksioneve antiruse të qeverisë së SHBA-së, që u shpall të mërkurën (12.04.2023) dhe prej të cilave është prekur edhe Hungaria. Në shikim të parë nuk duket të jenë sanksione të rënda: të prekur nga sanksionet e SHBA-së janë Banka Ndërkombëtare ruso-hungareze e Investimeve (IIB) si dhe personeli drejtues i saj, ndër to zëvendësdrejtori i IIB, Imre Laszloczki.
Ky nuk është një rast precedent: SHBA gjatë viteve të fundit kanë sanksionuar mjaft politikanë dhe biznesmenë nga vende aleate si p.sh. edhe nga Shqipëria dhe Bullgaria. Edhe shtetas hungarezë të papërmendur me emër zyrtarisht kanë qenë të përfshirë në listën e sanksioneve të SHBA-së. Por tani me Hungarinë për herë të parë që nga fillimi i luftës ruse kundër Ukrainës një vend anëtar i NATO-s sanksionohet. Kjo për faktin se IIB nuk është një bankë dosido, por një bankë shtetërore, Hungaria ka rreth 25 përqind të aksioneve.
Por edhe më e rëndësishme është, se papritur Ministria Hungareze e Ekonomisë mbrëmjen e së enjtes (13.04.2023) deklaroi, se Hungaria tërhiqet nga IIB. Me këtë qeveria hungareze ndërmori hapin e parë si pasojë e sanksioneve të SHBA-së.
Nëse është kjo një lëvizje për ndryshimin e kursit lidhur me politikën e jashtme të Hungarisë, kjo mbetet të shihet. Normalisht kryeministri i Hungarisë Viktor Orban në konfliktet me SHBA dhe BE-në deri tani në shumicën e rasteve ka bërë hapa të vegjël pas, por nuk ka ndërmarrë asnjë ndryshim thelbësor në kursin e tij.
IIB – “Banka e spiunëve” të Hungarisë
IIB në Hungari cilësohet edhe si “banka e spiunëve”, sepse drejtuesit e saj vijnë nga rrethi i shërbimit sekret rus FSB dhe shefi i IIB-së Nikolai Kosov vjen nga një familje oficerësh të KGB-së. Banka, selia e së cilës nga viti 2019 u transferua nga Moska në Budapest, luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet ruso-hungareze. Zëvendësdrejtori i IIB Laszloczki është një arkitekt dhe menaxher i politikës ekonomike hungareze në Rusi dhe në republikat e Azisë Qendrore.
Sanksionet e SHBA-së kundër Hungarisë janë një pikë krize në marrëdhëniet prej kohësh të tensionuara e ndërkohë haptazi armiqësore mes Hungarisë dhe SHBA-së. Kryeministri Viktor Orban e ka shfaqur hapur antipatinë e tij ndaj presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe vazhdon të jetë një mik i Donald Trump. Orban ishte i pari kryeministër i një vendi të BE-së që pati uruar për zgjedhjen Trump më 2017. Së fundi, me rastin e padisë ndaj ish-presidentit të SHBA-së, Orban postoi në twitter mesazhin: “Keep on fighting, Mr. President! we are with you, @realDonaldTrump!”
Ministri i Jashtëm i Hungarisë sërish në Moskë
Prëfaqësues të qeverisë së SHBA-së vazhdimisht kanë kritikuar gjendjen e demokracisë dhe të shtetit ligjor në Hungari, si dhe praktikat e korrupsionit dhe janë shprehur me shqetësim për marrëdhëniet ruso-hungareze. Pikërisht raportet ruso-hungareze ishin edhe shkaku i përfshirejs së Hungarisë në paketën e fundit të sanksioneve antiruse.
Fartkikisht Hungaria është i vetmi vend i BE-së, që mban zyrtarisht marrëdhënie miqësore më Rusinë dhe deri tani e ka dënuar vetëm me gjysmë zemre agresionin rus kundër Ukrainës. Të martën (11.04.2023) ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto udhëtoi në Moskë dhe zhvilloi atje bisedime për furnizimet ruse me gaz dhe investimet ruse në industrinë hungareze të energjisë bërthamore. Po të njëjtën ditë ministri i Jashtëm bjellorus Sergej Alejnik qëndroi për bisedime në Budapest.
Hungaria deri tani i ka mbështetur sanksionet antiruse të BE-së me pak përjashtime, madje për këtë Moska së fundi e klasifikoi atë si “vend jo miqësor”. Megjithatë kryeministri hungarez Orban vazhdimisht flet hapur duke kërkuar fundin e sanksioneve. Orban vazhdimisht shpreh edhe hamendësime, se nuk do të kishte ndodhur lufta, nëse presidenti i SHBA-së do të kishte qenë Donald Trump. Indirekt ai ua ngarkon fajin për sulmin e Rusisë në Ukrainë SHBA-së dhe BE-së.
Pasi ambasadori i SHBA-së në Budapest të mërkurën në mbrëmje (12.04.2023) deklaroi sanksionet e SHBA-së, përfaqësuesit e partisë së Orbanit, Fidesz thanë, se Hungaria do ta mbrojë sovranitetin e saj dhe nuk do ta ndryshojë qëndrimin. Mediet e afërta me qeverinë vazhdojnë fushatën antiamerikane.