RMV, Dashtevski: Deri tani janë paraqitur 11 kandidatë për president, është dorëzuar edhe një fletëparaqitje për një deputet të pavarur

Deri tani janë paraqitur 11 kandidatë për president të shtetit, Vello Markovski, Biljana Vankovska, Tome Nikollovski, Bujar Osmani, Gospodin Popovski, Maksim Dimitrievski, Stevço Jakimovski, Arben Taravari, Gjorgji Manaskov, Mersiha Smailloviq dhe Zorica Cvetkovska, ndërsa është dorëzuar edhe një fletëparaqitje për një deputet të pavarur, informoi sot kryetari i Këshillit Shtetëror të Zgjedhjeve Aleksandar Dashtevski, duke përkujtuar se afati për paraqitje zgjat deri më 8 mars, njofton Portalb.mk.

Sipas tij, në mëngjes në ora 8 janë hapur të gjithë vendet për mbledhje të nënshkrimeve. Në vend ka gjithsej 34 njësi lokale, të sistemuara në të gjithë qytetet më të mëdha, ndërsa në disa prej njësive lokale ka edhe nga disa të punësuar. Orari i punës është nga ora 8 deri në ora 20.

Deri tani, siç tha Dashtevski në “Top tema“, deri te KSHZ-ja nuk janë dorëzuar kurrarë vërejtje për kushte joadekuate nga kandidatët të cilët mbledhin nënshkrime, ndërsa në qoftë se dikush diçka denoncon, menjëherë do t’u dilet në ndihmë. Nuk ka denoncime, shtoi ai, as për fillim para kohe të fushatës zgjedhore, por, megjithatë apeloi që të gjithë partitë politike t’i respektojnë procedurat dhe të sillen në kuadër të ligjit.

“Mëngjesin e sotëm në ora 8 të gjithë vendet për mbledhje të nënshkrimeve janë hapur, kanë punuar të gjitha. Për këtë proces jemi përgatitur shumë dhe i kemi ndërmarrë të gjithë masat. Kemi miratuar Rregullore për rregullim të procedurës për mbledhje të nënshkrimeve i cili mund të gjendet në ueb-faqe dhe të lexohet. Kemi dhënë urdhër që të punësuarit, nëse ndonjë person i pamundur të mos mundet të ngjitet, i punësuari të zbresë”, tha Dashtevski lidhur me vërejtjet e sotme nga disa parti rreth kushteve për mbledhje të nënshkrimeve.

Lidhur me Aleancën për Shqiptarët dhe paraqitjen e kësaj partie në zgjedhjet vijuese parlamentare, kryetari i KSHZ-së shpjegoi se do të kërkohen dokumentet e nevojshme nga Gjyta dhe nga Regjistri Qendror.

I pyetur për përputhjen e heshtjes zgjedhore para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale me fushatën për zgjedhjet parlamentare, Dashtevski përsëriti se KSHZ vepron ekskluzivisht në pajtueshmëri me Kodin Zgjedhor.

“Neni 69 nga Kodi Zgjedhor e rregullon çështjen për heshtjen zgjedhore, ndërsa Afatet si akt më i lartë që vlen për zgjedhjet, thotë që më 22 prill në ora 24:00, më 23 dhe 24 prill, deri në mbyllje të kutive votuese, do të ketë heshtje. Ligji nuk parashikon situata kur përputhen në të njëjtën ditë zgjedhjet. Në raundin e parë do të ketë heshtje për zgjedhjet presienciale në pajtueshmëri të ligjit dhe Afateve. Nuk mundemi të veprojmë në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe Afatet. Afatet duhet në mënyrë strikte të respektohen. Edhe në nenin 75a të Kodit Zgjedhor ka një dispozitë të cilës duhet t’i referohet Agjencia për shërbime audio dhe audiovizuale mediale deri te e cila do të apeloja që sa më shpejtë të miratojë rregulloren për minutat për reklamim të paguar politik në të cilin ne jemi vetëm ndërsmjetësues”, tha Dashtevski.

KSHZ-ja do të apelojë, shtoi ai, që të mos keqpërdoret fushata për zgjedhjet parlamentare gjatë heshtjes zgjedhore, gjegjësisht që të flitet vetëm për zgjedhjet parlamentare, por jo edhe për presidencialet.

Zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj. Gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale do të vijojë fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare.