RMV, 12 persona pa shtetësi morën certifikata lindjeje, 526 të tjerë janë në procedurë

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Drejtësisë Krenar Loga shpërndanë certifikata për personat që nuk janë të regjistruar në librat amë. Kjo, sipas Kovaçevskit, zgjidh problemin dhjetëvjeçar me të cilin përballen qindra qytetarë të lindur në territorin e vendit tonë, por të pa regjistruar në regjistër dhe pa certifikata lindjeje, transmeton Portalb.mk.

“Këto probleme kanë kaluar! Pas një dekade, u kemi mundësuar këtyre qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të mbrojtur shëndetin e tyre përmes sigurimit shëndetësor, që fëmijët të ndjekin mësimet e rregullta dhe të marrin dëftesa të përfundimit të arsimit. Me regjistrimin e tyre në librat amzë, u hapëm mundësinë që t’i shfrytëzojnë të gjitha përfitimet e ofruara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ata tani mund të martohen ligjërisht, ndërsa pasardhësit e tyre pa problem mund të regjistrohen në librat amë”, tha në fjalimin e tij kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Ministri i Drejtësisë, Krenar lLoga, duke iu referuar procesit të zgjidhjes sistematike dhe të përhershme të problemit, theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është në vendin e parë në Evropë dhe e dyta në botë në zgjidhjen e problemit të të paregjistruarve.

“Kemi përkrahur përgatitjen e Ligjit për personat e paregjistruar në librat amë, i cili është miratuar në vitin 2020. Propozimi i Ligjit për Gjendjen Civile është miratuar më 14 qershor 2023. Në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, ky ligj garanton të drejtën e regjistrimit në regjistrin e të lindurve të çdo fëmije të lindur në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut menjëherë, dhe jo më vonë se 45 ditë nga dita e lindjes së fëmijës, pavarësisht nga shtetësia dhe statusi personal i prindërve të tij”, thekson Lloga.

Në këtë ngjarje folën drejtori i Drejtorit për menaxhim me librat amë, Emir Sulejmani dhe kryetarja e Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Sonja Mirakovska.

Sulejmani tha para të pranishmëve se gjithsej 526 persona janë duke u proceduar për regjistrim në regjistrin e të lindurve. Prej tyre, 409 persona janë regjistruar në regjistrat e të lindurve që nga miratimi i ligjit deri më tani. 117 personat e mbetur do të trajtohen deri në fund të vitit.

Kryetarja e Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Sonja Mirakovska, theksoi se me zbatimin e ligjit për regjistrim amë si shtet, është vendosur një qëllim i qartë që kjo kategori e qytetarëve duhet t’i gëzojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetuta.

Në këtë ngjarje u shpërndanë 12 certifikata për personat pa shtetësi, ndërsa në ndarjen e tyre morën pjesë deputetja Shikovska, sekretari shtetëror nga Ministria e Drejtësisë Toçi dhe drejtori Sulejmani.

Ky aksion është pjesë e zbatimit të ndryshimeve në Ligjin për Gjendjen Civile, që synojnë t’u ndihmojnë personave të cilët për më shumë se një dekadë nuk e kanë zgjidhur problemin e mosregjistrimit të lindjes së tyre në librat amzë të të lindurve, ku në gjendjen kalimtare dhe përfundimtare përcaktohen saktë dispozitat që lehtësojnë regjistrimin e këtyre personave, e cila është e vlefshme deri në fund të vitit.

Ndryshe, sistemi jo konsistent i shkëmbimit të të dhënave të institucioneve, numri i madh i procedurave burokratike dhe ligjet e krijuara keq çuan në faktin që mbi 700 persona në vend nuk kanë pasur shtetësi. Shpesh të quajtur në publik si persona “fantom”, këta persona nuk kanë pasur akses në të drejtat elementare të njeriut – sigurim shëndetësor, posedim të letërnjoftimit dhe përdorimin e ndihmës sociale deri në hapjen e llogarisë së transaksionit. Gotën e derdhi rasti i Memet Kamber, djalit 19-vjeçar i cili vdiq muajin maj për shkak të diabetit të padiagnostikuar, pasi nuk kishte mundësi të merrte sigurim shëndetësor dhe fillimisht shkoi në spital kur gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dukshëm librezë shëndetësore të dikujt tjetër. Edhe pas vdekjes, djali nuk mund të varrosej pasi nuk kishte dokumente identiteti, kështu që procedura zgjati më shumë se tre javë.