Qeveria e RMV-së nënshkroi marrëveshje për 66 projekte në 44 komuna me vlerë 32.5 milionë euro

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, sot mori pjesë dhe foli në një ngjarje ku u nënshkruan kontrata me 44 komuna për realizimin e 66 projekteve konkrete me interes lokal. Për realizimin e projekteve është siguruar mbështetje financiare prej 32.5 milionë euro nga buxhetet e 6 ministrive dhe një agjencie, përkatësisht nga Ministritë e Shëndetësisë, Arsimit dhe Shkencës, Punës dhe Politikës Sociale, Kulturës, Transportit dhe Lidhjeve, Mjedisit Jetësor dhe Agjencisë për Rini dhe Sport, transmeton Portalb.mk.

“Gjithsej 2 miliardë denarë ose 32,5 milionë euro janë siguruar me konvertimin e mjeteve financiare nga buxhetet e 6 ministrive dhe një agjencie. Domethënë nga Ministritë e Shëndetësisë, Arsimit dhe Shkencës, Punës dhe Politikës Sociale, Kulturës, Transportit dhe Lidhjeve, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Agjencisë për Rini dhe Sport. Këto para janë të destinuara për gjithsej 66 projekte për 44 komuna”, tha Kovaçevski.

Bëhet fjalë për projekte për rindërtimin e rrugëve dhe rrugëve lokale, ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave dhe kopshteve, objekteve shëndetësore, sallave sportive, qendrave të kulturës, impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, urave, sallave sportive, dhe projekte të tjera.

Tetë milionë denarë (130.000 euro) nga llogaria e Ministrisë së Shëndetësisë do të kalojnë në llogarinë e Komunës së Ilindenit për rindërtimin e autoambulancës në këtë komunë, e cila është me rëndësi të jashtëzakonshme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, tha Kovaçevski

Një pjesë e projekteve janë të destinuara për rindërtimin dhe ndërtimin e shkollave dhe sallave sportive në Aerodrom, Gazi Babë, Kisella Vodë dhe Ohër. Paratë për këto projekte në vlerë prej 380 milionë denarë (mbi 6,1 milionë euro) do të sigurohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

250 milionë denarë (mbi 4 milionë euro) janë siguruar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për projekte për përmirësimin e ndërtimit dhe rindërtimit të çerdheve në komunat Gjorçe Petrov, Aerodrom, Butel, Karposh dhe Kisella Vodë. Këto janë projekte që nënkuptojnë përmirësimin e kushteve për përkujdesjen e fëmijëve parashkollorë në këto komuna.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve do të ndajë mbi 1 miliard denarë (16,2 milionë euro) për projekte për ndërtim, rindërtim dhe asfaltim të rrugëve dhe rrugëve lokale dhe urave në disa komuna.Gjegjësisht në Manastir, Bogdanc, Bogovinë, Gostivar, Dibër, Dellçevë, Zhelinë, Ilinden, Jegunovc, Karposh, Kërçovë, Krivogastan, Krushevë, Mavrovë dhe Rostushë, Makedonski Brod, Pehçevë, Probishtip, Saraj, Shkup, Komuna Qendër, Çashkë dhe Kriva Pallankë.

Mbi 183 milionë denarë (3 milionë euro) nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të ripërdoren për projekte mjedisore në Vallandovë, Prilep, Berovë, Çuçer Sandevë dhe Pllasnicë. Këto janë projekte për mbrojtjen e mjedisit, por edhe për kushte të shëndetshme jetese.

Në fushën e kulturës, 30 milionë denarë (487.000 euro) nga Ministria e Kulturës do të sigurohen për realizimin e projektit për Shtëpinë e Kulturës në fshatin Mateç të Likovës.

Përmes Agjencisë për Rini dhe Sport do të ripërdoren 114 milionë denarë (mbi 1,8 milionë euro) për ndërtimin e sallave sportive, terreneve, pajisjeve urbane në komunën e Shtipit, Velesit dhe Gjorçe Petrovit.

“Siç e thashë në fillim, kjo është vetëm vazhdimësi e mbështetjes së mëparshme që ne u ofrojmë komunave. Me ndryshimet në Ligjin për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale, për të cilat kam punuar personalisht së bashku me ministrin Besimi”, tha Kovaçevski.