Rinia e “Zhurkaq” këtë fundjavë sjellin në Shkup artistët e rinj shqiptarë nga rajoni
Të rinjtë e Zhurkaq, këtë fundjavë, (9 dhjetor) në klubin “Minus Eden”, në Shkup në kuadër të projektit ekologjik ”Zhurkaq për pjesën e vjetër të parkut” sjellin katër artistë të rinj shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, shkruan Portalb.mk.
Komuniteti i Zhurkaq përbëhet nga disa të rinjë që organizojnë ngjarje muzikore të ndryshme në Shkup me qëllim që të krijojnë një atmosferë zbavitëse por edhe të mbështesin të rinjtë duke iu mundësuar të bashkëpunojnë së bashku.
Këtë herë Zhurkaq, të shtunën (9 dhjetor) do të sjellë bashkë katër artistë, DJ të zhanrit të muzikës elektronike, me prejardhje nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Ngjarja do të fillojë me Lorikun, DJ-in dhe producentin e ri nga Tetova, ndërkaq më pas do të ndiqet nga Dalmati nga Gjakova, Armiri dhe Diodor-i, që të dy nga Prishtina.
Në fund të muajit tetor, ata filluan projektin e tyre ekologjik “Zhurkaq për pjesën e vjetër të parkut”, me të cilin ata synojnë që mjetet që i përfitojnë nga ngjarjet e tyre t’i investojnë në pjesën e vjetër të parkut të Shkupit gjegjësisht për të blerë kosha për mbeturina.
Kjo është ngjarja e dytë që do të mbahet në kuadër të këtij projekti.
Për të mbledhur sa më shumë financa të rinjtë gjithashtu kanë krijuar edhe një fond për donacione për të gjithë që duan të përfshihen në projektin e tyre.
“Zhurkaq” përbëhet nga një grupi i ri shqiptarësh me iniciativë për të zhvilluar kulturën urbane dhe për të mbështetur artistët e rinj në skenën muzikore të Maqedonisë së Veriut. Emërtimi i tyre “Zhurkaq” vjen nga fraza “zhurk” që domethënë mbrëmje zbavitëse. Të rinjtë filluan të organizojnë festivale dhe mbrëmje zbavitëse që në korrik të këtij viti, çdo herë duke u fokusuar në mbështetjen e të rinjve.