Këto janë kompanitë më të mira në RMV sipas OEMVP

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperendimore promovoi TOP 100 kompanitë më të suksesshme të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore. Në Top 5 u shpall kompania Pucko Petrol, e përcjellur nga kompania ATS Group si e katërta, e treta u radhit kompania Promeet Steel Holding, e dyta ishte kompania Dauti Komerc. Kompania e parë e këtij edicioni të TOP 100 në bazë të parametrave dhe suksesit financiar, u shpall kompania Bas Tuti Fruti, transmeton Portalb.mk.

Ndër tjerash, u nda edhe çmimi për partneritet më të suksesshëm i cili i takoi kompanisë Knauf Radika, çmimi për rritje më të shpejtë në tre vitet e fundit për kompaninë TRIM, çmimi për biznesin e suksesshëm të udhëhequr nga grua iu nda kompanisë Kenda Center, e udhëhequr nga Valdete Feta. Gjithashtu u nda edhe çmimi për neto fitim më të madh në 5 edicionet e fundit të TOP 100 për kompaninë ZSF-KOM, çmimi për Top eksportuesin u nda për Vardar Dolomit, çmimi për filantropi këtë edicion i takoi Maliqi Group dhe çmimi për kontribut të veçantë në tregun e punës u nda për kompaninë Motivi.

Ndryshe nga vitet tjera këtë vit mirënjohje u nda për Lansky, Ganzger, Zeqiri + Partner, për përkrahje dhe solidarizim me sektorin e biznesit në kohë krize.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi u drejtua në manifestim.

“Në prani të 100 kompanive më të suksesshme, dua të theksoj potencialin tuaj të  madh, të cilin bashkërisht duhet ta shfrytëzojmë, për ta vënë në spikamë një vlerë të re të shtuar, për të forcuar themelet e rritjes dhe zhvillimit ekonomik.  Bëhet fjalë për Near-shoring, pra të punojmë së bashku që sa më shumë kompani vendore të përfshihen në zinxhirët e furnizimit global të kompanive të mëdha evropiane dhe botërore dhe në këtë mënyrë të afrohemi me vendet e Bashkimit Evropian”, tha Bytyqi.

TOP 100 kompanitë gjatë vitit 2022 realizuan 1,3 miliarda euro qarkullim, neto fitim mbi 100 milion euro, ndërsa numri i  të punësuarve arriti mbi 9400. Ata gjithashtu kanë realizuar investime në vlerë prej 64,6 milionë euro dhe eksport prej 186,6 miliona euro.

OEMVP të gjithë të pranishmëve u ndau edhe katalogje Top 100 në të cilat është regjistruar çdo sukses i kompanive që përfaqësojnë OEMVP-në në vend.