Rikthehet Champions League, sonte do të luhen ndeshjet e para të sezonit 2023/24

Pritjes i vjen fundi. Kompeticioni më i rëndësishëm për klube në botë, UEFA Champions League do të nisë mbrëmjen e kësaj të marte siparin e edicionit 2023-2024, edicion ky që pritet të jetë spektakolar dhe shumë emocionues, raporton ABC.

Gjithçka do të nisë në “San Siro”, aty ku në orën 18:45, “kuqezinjtë” e Milan do të përballen me “bardhezinjtë” e Newcastle, në një përballje ku “ylli” i këtyre të fundit, Sandro Tonali do të përballet me “të shkuarën”, teksa kujtojmë se u transferua tek anglezët pa dëshirën e tij gjatë kësaj merkatoje vere.

Në përballjen tjetër të kësaj ore, “demat” gjermanë të Leipzig do të udhëtojnë drejt Bernës, aty ku në “Stadion Wankdorf” i presin kampionët zviceranë të Young Boys, sfidë kjo që për herë të parë në histori do të drejtohet nga një arbitër shqiptar, i cili nuk ka sesi të mos jetë Enea Jorgji.

Përsa i përket përballjeve të mbrëmjes, sytë e tifozëve padyshim që bie mbi supersfidën e grupit F, i quajtur ndryshe si “grupi i ferrit”, PSG-Borussia Dortmund, me “parisienët” e Luis Enrique që do të kërkojnë fitoren në Champions League, si një pikë kthese për këtë fillim sezoni, ku le të themi që nuk ka qenë më i miri për ta.

Në përballje të tjera të mbrëmjes, Lazio e Elseid Hysajt do të presë në “Stadio Olimpico”, “los colchoneros” e Atletico Madrid, Barcelona do të përballet me belgët e Antwerp, skuadër nw tw cilwn bwn pjesw dhe “fantazisti” i Kombwtares, Arbnor Muja, Manchester City do të presë në “Etihad”, serbët e Crvena Zvezda, Shakhtar Dontesk do të ndeshet ndaj Porto-s, ndërsa Feyenoord do të presë në arenën “De Kuip” të Roterdamit, skocezët e Celtic.