Sot do të luhen dy ndeshjet e xhiros së katër të Ligës së Parë

Në kuadër të javës së katërt të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, sot do të zhvillohen dy ndeshjet e para. Javën e katërt do ta hapë përballja mes KF Skopje dhe KF Tikveshit, me fillim nga ora 17:00, shkruan Portalb.mk.

Ndërkohë, nga ora 19:00 në Shtip KF Bregallnica, do ta presë ekipin kumanovar KF Bashkimin. Skuadra nga Kumanova deri më tani nuk ka arritur të fitojë asnjë ndeshje dhe është në kërkim të pikëve të para në këtë sezon. Ndërsa të shtunën, për herë të parë do të përballen Shkëndija e Haraçinës dhe KF Arsimi i Çegranit. Haraçinasit do ta presin ekipin e Arsimit në stadiumin e Çairit.

Të hënën do të zhvillohen edhe dy ndeshje, ku Vardari do të përballet me Sileksin. Ndërkohë, java do të mbyllet me derbin shqiptar, në të cilin Shkëndija e Tetovës do të ndeshet me Struga Trim Lum. Ekipi strugan do të zbresë në fushë me motiv shtesë, pasi vjen pas një fitoreje të madhe ndaj kampionit në fuqi, Vardarit në javën e kaluar.