126 mijë euro dëmshpërblim për Selën për ngjarjet e 27 prillit

Gjykata e Apelit në Shkup ka marrë vendim të formës së prerë me të cilin pjesërisht e ka pranuar ankesën e kryetarit Ziadin Sela dhe ka rritur shumën e dëmshpërblimit që shteti duhet t’ia paguajë për dëmin jomaterial të pësuar gjatë sulmit në Kuvend më 27 prill 2017, shkruan Portalb.mk.

Shteti obligohet t’i paguajë Selës gjithsej 7.800.000 denarë apo 126 mijë euro për cenimin e të drejtave personale lidhur me shëndetin e tij fizik dhe psikik. Sipas arsyetimit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk e ka vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme seriozitetin e dëmit të shkaktuar, si dhe nuk ka marrë parasysh të gjitha rrethanat relevante që ndikojnë në përcaktimin e një kompensimi të drejtë. Në padinë e tij civile, Ziadin Sela kishte kërkuar gjithsej 61 milionë denarë si kompensim për dëmin e pësuar gjatë ngjarjeve të dhunshme në Kuvend.

27 prill, dita e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, u përgjak

Pas arritjes së marrëveshjes, partnerët e rinj, bashkë me partitë opozitare shqiptare, pavarësisht se ende presidenti Ivanov, ende nuk ia kishte dhënë mandatin Zoran Zaevit, vendosën që më 27 prill ta zgjedhin kryetar të Kuvendit, Talat Xhaferin nën një atmosferë të tensionuar brenda dhe jashtë Kuvendit.

Derisa kryetari i Kuvendit, pas zgjedhjes mbante fjalimin solemn në sallën për konferenca për shtyp, protestuesit, me ndihmën e policisë (e cila ishte nën udhëheqjen e Mitko Çavkovit nga VMRO-DPMNE-ja) dhe disa deputetë të VMRO-DPMNE-së, u futën dhunshëm në objektin e Kuvendit. Me turmën kanë udhëhequr persona me maska, por edhe të arma

Disa nga deputetet e VMRO-DPMNE-së i kanë hapur portat dhe i kanë drejtuar protestuesit e dhunshëm që të shkojnë drejtë vendit ku gjendeshin Talat Xhaferi, Zoran Zaev, Ziadin Sela dhe pjesëtarë të tjerë të shumicës parlamentare. Me këtë rast, policia fare nuk ka reaguar, duke i lejuar që dhunuesit lirshëm të futën në Kuvend dhe të demolojnë gjithçka që shohin përpara.

Protestuesit rrahën deputetë, gazetarë dhe punonjës të Kuvendit. Me lëndime më serioze nga ky sulm doli deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili është rrahur brutalisht nga dhunuesit. Pos tij, të sulmuar kanë qenë edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, por edhe deputetë tjerë. Skandaloze gjithashtu ishte fakti që në atë natë, brenda Kuvendit është fotografuar edhe një agjent i Shërbimit Sekret të Serbisë, Goran Zivlajeviq.

Pas kësaj ngjarje, Ivanov, më 17 maj, përfundimisht ia dha mandatin kryeministrit Zaev, i cili më pas formoi Qeverinë me BDI-në dhe Aleancën për Shqiptarët.  Kujtojmë që nga dhuna e 27 prillit 2017 në Kuvend, u lënduan mbi 100 persona në mesin e tyre edhe deputetë dhe gazetarë. Derisa më 15 mars të vitit 2019-të, Gjykata i dënoi disa prej të akuzuarve me gjithsej 211 vjet burg.