Kuvendi i RMV-së e përforcon sigurinë, do të marrë masa për mbrojtje nga turmat dhe plumbat
Parlamenti dje publikoi një shpallje publike të nënshkruar nga kryetari Afrim Gashi, me të cilën kërkohet projektues për përforcimin e 6 dyerve masive hyrëse të Parlamentit, përkatësisht për furnizimin me dyer të reja, të mbrojtura nga turmat dhe plumbat. Projekti përfshin edhe ndërtimin e një dere të re të madhe të garazhit nën Parlament, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.
Sipas Programit Projektues për përpunimin e dyerve të sigurisë së Parlamentit, me nënshkrim të Gashit, i cili është bashkëngjitur në dokumentacionin e tenderit, “klasa e dyerve që kërkohet ka të bëjë me rezistencën ndaj plumbave, mbrojtjen nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe ndaj tentativave për sulm fizik nga turmat”.
Në Program thuhet se kjo e konfirmon nevojën për përdorimin e “materialeve shumë-shtresore, si xhami i laminuar dhe vetitë e polikarbonatit të materialeve, duke përfshirë edhe përdorimin e mekanizmave të specializuar për kornizat dhe sistemet e mbylljes”.
Më tej kërkohet që dyert e reja dykrahëshe të testohen ndaj presionit të turmave dhe ndaj predhave nga armët e zjarrit.
“Kjo do të thotë se niveli i mbrojtjes përcaktohet sipas standardeve të njohura të BE-së, të cilat simulojnë dy llojet e sulmeve, me qëllim sigurimin e sigurisë së objektit. Bëhet fjalë për 6 dyer të dyfishta me përmasa 166/293/193 cm dhe një derë garazhi me përmasa 355/485 cm, e cila duhet të ketë një trajtim të ndryshëm në aspektin e zgjidhjes funksionale nga dyert e tjera hyrëse”. Më tej janë përcaktuar edhe vetitë e nevojshme të materialeve.
Në shpallje thuhet se është e domosdoshme që dyert hyrëse të dyfishta të përmbushin edhe standardet estetike të objektit, duke vendosur konstruksionin e sigurisë në një mbështjellës druri “sanduiç” nga ana e jashtme dhe e brendshme, i cili do të përpunohet sipas fotografimit të dizajnit ekzistues dhe modelit të ornamentit.
“Projekti për konstruksionet ndërtimore është i nevojshëm për të siguruar përforcime prej betoni të armuar rreth kornizave të dyerve. Projekti i elektroteknikës duhet të sigurojë instalimin për vendosjen e automatizimit të nevojshëm, kontrollin dhe regjimin e përdorimit të dyerve”, në mënyrë që jo çdokush të mund t’i hapë dhe mbyllë ato.
Objekt i kontratës së prokurimit publik janë: “Shërbime për projektin bazë me revizion për përforcimin e dyerve të jashtme hyrëse”. Vlera e parashikuar e përpunimit të projektit pa TVSH është 300 mijë denarë, ose rreth 5 mijë euro për projektin më të mirë.
Dyert aktuale janë autentike dhe kanë vlerë muzeale, pasi janë të mëdha dhe prej druri masiv, ndërsa datojnë që nga ndërtimi i Parlamentit në vitin 1938. Megjithatë, ato u dëmtuan dukshëm më 27 prill 2017, gjatë sulmit të organizuar ndaj Parlamentit nga një turmë e revoltuar, e cila shtyu më së shumti dyert e përparme hyrëse që zbukurojnë ndërtesën e Parlamentit.
Ish-deputetët Krsto Mukoski dhe Sasho Vasilevski nga VMRO-DPMNE hoqën pengesat prej çeliku nga dyert hyrëse dhe turma hyri me forcë për të dëmtuar Parlamentin nga brenda dhe për të sulmuar deputetët dhe gazetarët.
Ndërtesa e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut është një nga objektet më monumentale në vend. Për të, në vitin 1930 ishte shpallur konkurs për projektim, ku fitoi arkitekti Viktor Lukomski, ndërsa ajo u ndërtua në vitin 1938 sipas projektit të arkitektit çek Viktor J. Hudak.
27 prill, dita e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, u përgjak
Pas arritjes së marrëveshjes, partnerët e rinj, bashkë me partitë opozitare shqiptare, pavarësisht se ende presidenti Ivanov, ende nuk ia kishte dhënë mandatin Zoran Zaevit, vendosën që më 27 prill ta zgjedhin kryetar të Kuvendit, Talat Xhaferin nën një atmosferë të tensionuar brenda dhe jashtë Kuvendit.
Derisa kryetari i Kuvendit, pas zgjedhjes mbante fjalimin solemn në sallën për konferenca për shtyp, protestuesit, me ndihmën e policisë (e cila ishte nën udhëheqjen e Mitko Çavkovit nga VMRO-DPMNE-ja) dhe disa deputetë të VMRO-DPMNE-së, u futën dhunshëm në objektin e Kuvendit. Me turmën kanë udhëhequr persona me maska, por edhe të arma
Disa nga deputetet e VMRO-DPMNE-së i kanë hapur portat dhe i kanë drejtuar protestuesit e dhunshëm që të shkojnë drejtë vendit ku gjendeshin Talat Xhaferi, Zoran Zaev, Ziadin Sela dhe pjesëtarë të tjerë të shumicës parlamentare. Me këtë rast, policia fare nuk ka reaguar, duke i lejuar që dhunuesit lirshëm të futën në Kuvend dhe të demolojnë gjithçka që shohin përpara.
Protestuesit rrahën deputetë, gazetarë dhe punonjës të Kuvendit. Me lëndime më serioze nga ky sulm doli deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili është rrahur brutalisht nga dhunuesit. Pos tij, të sulmuar kanë qenë edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, por edhe deputetë tjerë. Skandaloze gjithashtu ishte fakti që në atë natë, brenda Kuvendit është fotografuar edhe një agjent i Shërbimit Sekret të Serbisë, Goran Zivlajeviq.
Pas kësaj ngjarje, Ivanov, më 17 maj, përfundimisht ia dha mandatin kryeministrit Zaev, i cili më pas formoi Qeverinë me BDI-në dhe Aleancën për Shqiptarët. Kujtojmë që nga dhuna e 27 prillit 2017 në Kuvend, u lënduan mbi 100 persona në mesin e tyre edhe deputetë dhe gazetarë. Derisa më 15 mars të vitit 2019-të, Gjykata i dënoi disa prej të akuzuarve me gjithsej 211 vjet burg.