Revizioni konstatoi parregullsi në Institutin e Mjekësisë së Punës

Raporti i Revizionit tregoi se Instituti i Mjekësisë së Punës ka pamundësuar 80 përqind të termineve për shërbime specialistike-konsultative për pacientët, që sipas nenit 39-a të Ligjit për Mbrojtjen Shëndetësore duhej t’i siguronte, transmeton Portalb.mk

Sipas nenit 39-a të Ligjit për Mbrojtjen Shëndetësore, drejtori i Institutit është i detyruar në sistemin “Termini Im” të përcaktojë kalendar mujor aktivitetesh për çdo punonjës shëndetësor që ofron shërbime specialistike-konsultative.  

“Nga kontrolli i të dhënave në “Termini Im” rezulton se gjatë vitit 2024, Instituti ka krijuar mesatarisht vetëm 20 përqind të termineve ligjërisht të detyrueshme për shërbime specialistike-konsultative. Nga ana tjetër, kontrolli i shërbimeve të realizuara sipas llojit të udhëzimit tregoi se nga gjithsej 9.206 shërbime shëndetësore në kujdesin specialistik-konsultativ, vetëm 46 përqind janë realizuar me termin të rregullt, ndërsa 54 përqind janë kryer si raste urgjente, me udhëzim 24-orësh ose pa termin, thuhet në raport. 

Revizioni konstatoi se në vitin 2024, Instituti i Mjekësisë së Punës nuk ka miratuar çmimore dhe nuk ka krijuar regjistrim, kontroll dhe monitorim të plotë të pagesave për shërbimet e lëshuara nga certifikatat mjekësore. 

Gjatë vitit 2020 është blerë një aparat mjekësor për test stres në vlerë prej 1.882.000 denarë, i cili është regjistruar, por deri në ditën e revizionit nuk është përdorur. 

“U konstatua se Instituti nuk ka staf të kualifikuar për të përdorur këtë aparat dhe ofruar shërbime shëndetësore me të. Gjatë vitit 2025, në kërkesë të Ministrisë, Instituti dorëzoi të dhëna për këtë aparat, por ende nuk është punësuar stafi i duhur dhe nuk ofrohen shërbimet për të cilat është blerë aparati”, tha Revizioni. 

Gjithashtu janë gjetur parregullsi në angazhimin e personave me kontrata pune të përkohshme  dhe u konstatua mungesë e termineve të rregullta për pacientë. 

Revizioni theksoi se në vitin 2024 janë nënshkruar 9 kontrata për vepër për personel administrativ-teknik dhe 4 kontrata për shërbime konsulence, me pagesa totale prej 2.639.000 denarë. Nga kontrolli i mënyrës së angazhimit të këtyre personave, nuk u gjet asnjë provë për realizimin e punës, as për praninë në vendin e punës.