Dritë e gjelbër për pajisjet ushtarake nga Amerika, ja çfarë do të përfitojë Ushtria e Maqedonisë

Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri në mbledhjen e sotme dha dritë të gjelbër për pajisjet e reja për Ushtrinë, të siguruara si grant nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton Portalb.mk.

Komisioni miratoi njëzëri katër informacione që lidhen me nevojën për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re midis dy qeverive, si dhe me amendamente në marrëveshjet ekzistuese.

Nevojën për pajisjet e reja dhe marrëveshjet e shpjegoi ministri i Mbrojtjes, Vllaldo Misajlovski, duke theksuar se bëhet fjalë për sisteme komunikimi dhe informacioni, përfshirë radio-aparate të tipit 1, përmirësim të platformës së simulimit në Qendrën për Simulim, blerje të një kompleti për kontroll dhe drejtim të zjarrtë të kombinuar, si dhe një marrëveshje për ndërtimin e një qendre të të dhënave në një lokacion rezervë.

Misajllovski theksoi se këto detyrime rrjedhin nga Paketa e Qëllimeve të Kapaciteteve e vitit 2021, sipas së cilës njësitë ushtarake të deklaruara për NATO duhet të disponojnë komunikime radio taktike të sigurta dhe interoperabile për komandim dhe kontroll.

Në këtë drejtim, është parashikuar blerja e 31 radio-aparatëve dhe gjashtë pajisjeve për ngarkimin e çelësave kriptografikë për pajisjen e Grupit të Lehtë të Batalionit të Këmbësorisë.

Vlera totale e pajisjeve që do të marrë Ushtria arrin mbi 10,4 milionë dollarë amerikanë.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka mbushur mbi 5 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020, vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.