Repotrazh: Tre nxënësit e klasës së parë nga Mustafino do t’i mësojë një mësuese e cila udhëton 160 kilometra në ditë

“Erdhi koha për në shkollë, zilja po na thërret, të gjithë në klasë”. Vargjet e kësaj kënge u kënduan nga nxënësit nga klasa e dytë e deri në të pestën, të cilët sot me një koreografi vallesh i pritën tre shokët e tyre të rinj – nxënës të klasës së parë në shkollën rajonale “Dame Gruev” në fshatin Mustafino të Shën Nikollës, shkruan në reportazhin e Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Tani, bashkë me nxënësit e klasës së parë Joana, Milla dhe Darin, numri i nxënësve në këtë shkollë u bë 18 dhe të gjithë mësojnë në një klasë të vetme, të kombinuar. Heroina e tyre është Biljana Sekullova, mësuesja e cila për t’i mësuar ato udhëton çdo ditë nga Negotina plot 160 kilometra. Por, ajo nuk e ka të vështirë. Buzëqeshja dhe energjia e saj flasin për dashurinë që kjo grua e ka për profesionin e saj dhe për fëmijët.

Në dimër, kur  bën ftohtë, kjo klasë u shërben fëmijëve edhe si sallë për edukatë fizike. Kur është ngrohtë ata ushtrojnë jashtë në fushat aty pranë. Foto: Meta.mk
Në dimër, kur  bën ftohtë, kjo klasë u shërben fëmijëve edhe si sallë për edukatë fizike. Kur është ngrohtë ata ushtrojnë jashtë në fushat aty pranë. Foto: Meta.mk

 

“Të gjithë fëmijët janë nga kjo zonë. Jam në komunikim me të gjithë prindërit, bisedojmë për gjithçka. Nëse bie shi, kontaktoj menjëherë me prindërit dhe merremi vesh se si t’i marrin fëmijët nga shkolla. Gjatë orëve të mësimit ne mësojmë përmes lojës. Me nxënësit e klasës së parë mësojmë të njohim shkronjat dhe numrat, ndërsa me më të mëdhenjtë mësojmë p.sh shumëzim dhe pjestim. Shpesh di t’u bëj pyetje përpara se të mësojmë një përmbajtje të re, e kështu, duke bërë lidhshmëri, ata vetë arrijnë tek përgjigjet për atë që do ta mësojmë. Nëse e do profesionin, atëherë asgjë nuk është e vështirë”, thotë Biljana.

 

Të gjithë fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën kanë një mësuese dhe mësojnë në një klasë. Foto: Meta.mk
Të gjithë fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën kanë një mësuese dhe mësojnë në një klasë. Foto: Meta.mk

 

Dikur numri i nxënësve në këtë shkollë ka qenë shumë më i madh.

“Nuk kemi fëmijë, po largohen”, na tha me zë të trishtuar punonjësja e shkollës, e cila udhëtoi me ne deri në Mustafino.

Siç na tha ajo, dikur numri i nxënësve në këtë shkollë ka qenë më i madh, por si në shumë vende të tjera në shtetin tonë numri i fëmijëve po bie, ndërsa shkaku më i shpeshtë për këtë është migrimi fshat-qytet, por dhe emigrimi jashtë vendit.

Në ditën e parë të shkollës shfaqe për pritjen e nxënësve të klasës së parë u mbajtën në të gjitha shkollat ​​fillore të vendit. Përveç se në Mustafino Meta.mk mori pjesë edhe në shfaqen e organizuar në shkollën qendrore “Dame Gruev” në Erxheli. Kjo shkollë ekziston plot 67 vite, ndërsa në të mësojnë 188 nxënës nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Drejtoresha Dragica Jovanova konfirmoi se numri i nxënësve është gjithnjë e më i vogël.

Nga shfaqja në shkollën “Dame Gruev” në Erxheli. Foto: Meta.mk
Nga shfaqja në shkollën “Dame Gruev” në Erxheli. Foto: Meta.mk

“Tre- katër vite më parë kemi pasur 220 nxënës, ndërsa tani numri i tyre është 188. Shumë nga prindërit largohen jashtë vendit. Kemi pasur një vit shkollor kur në shkollën rajonale në Peshirovë nuk u regjistrua asnjë nxënës i klasës së parë. Por ja, këtë vit atje kemi tre nxënës të klasës së parë”, thotë Jovanova.

Për pesë vjet numri i nxënësve të klasës së parë është për 3.545 më i vogël

Nëse i shohim numrat e Entit Shtetëror të Statistikave, vihet re se në pesë vitet e fundit shkollore ka një trend të rënies së numrit të nxënësve të klasës së parë në mbarë vendin. Kështu, nëse pesë vite më parë në klasën e parë janë regjistruar 21.687 nxënës, këtë vit shkollor numri i tyre është për 3.545 më i vogël. Pra, në vitin akademik 2023/2024 për herë të parë numri i nxënësve të klasës së parë të regjistruar në shkollat ​​fillore ka rënë nën 20 mijë.

Rrjedhimisht zvogëlohet edhe numri i përgjithshëm i nxënësve të shkollave fillore në vend. Kështu, nëse në vitin akademik 2019/2020 numri i nxënësve në arsimin fillor ka qenë 187.240, sot pas pesë vitesh ky numër është 185.000, pra keni një rënie prej 2.240. Ajo që është gjithashtu e rëndësishme të theksohet është fakti se në fillim të çdo viti shkollor në arsimin fillor ka rreth 1.000 nxënës më shumë sesa në fund të vitit shkollor. Kjo do të thotë se gjatë vitit shkollor këto nxënës e lënë shkollën dhe emigrojnë jashtë vendit.

Krahas problemit të emigrimit nga vendi, në rënien e numrit të nxënësve të regjistruar në shkolla ndikon edhe shtimi natyror negativ i popullatës në vend. Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave në tremujorin e dytë të vitit 2023 numri i lindjeve të gjalla ka qenë 4.019 dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i tyre ka rënë për 8,9 përqind.

Nga ana tjetër numri i të vdekurve në tremujorin e dytë të vitit 2023 ka shënuar një rënie prej 0,5 përqind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, pra kanë vdekur 4.730 persona, ndërsa 6 prej tyre kanë qenë foshnja. Por, shtimi natyror në vend është negativ, -711 persona, ndërsa ky shtim negativ ishte edhe evident gjatë pandemisë së Covid-19 në vitin 2020, 2021 dhe 2022.

Përndryshe, vitishkollor filloi sot. Sipas shifrave të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, rreth 185 mijë nxënës të shkollave fillore dhe 70 mijë të shkollave të mesme janë ulur sot në bankat e shkollave. Pjesë e sistemit arsimor janë bërë 18.142 nxënës të klasës së parë, numri i të cilëve po zvogëlohet nga viti në vit.

E reja këtë vit është se për herë të parë nxënësit do të kenë pushimin pranveror njëjavor.