Reparti i Imunologjisë në Klinikën e Fëmijëve në Shkup nuk do të funksionojë, pacientët do të drejtohen në repartet e tjera
Reparti i Imunologjisë në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve do të bashkohet me Repartin e Pulmonologjisë për shkak të mungesës së infermiereve, transmeton Portalb.mk.
Këtë e bëri të ditur sot, drejtori i Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi. Ai tha se Reparti i Imunologjisë nuk është shuar, por se bashkimi është bërë për shkak të mungesës së personelit mjekësor.
“Me kryeinfermieren nuk mundëm në asnjë mënyrë të organizonim punën me ndërrime dhe orarin e kujdestarive, prandaj u detyruam përkohësisht të bëjmë një bashkim të dy reparteve, që të kemi infermiere në dispozicion për të mbuluar kujdestaritë”, tha Memedi.
Ai tha se bëhet fjalë për Imunologjinë dhe Pulmonologjinë dhe se kjo është zgjidhje e përkohshme për ta tejkaluar këtë periudhë kur nuk ka numër të mjaftueshëm të stafit.