Ministria e Shëndetësisë pret që prodhuesi ta ulë çmimin e “Foster” dhe nuk shpjegon kush vendosi që ilaçi të shtrenjtohet brenda natës
Pasi u rrit çmimi i ilaçit “Foster”, që përdoret nga pacientët me astmë dhe probleme të tjera të frymëmarrjes, duke kaluar nga 300 denarë në 1.081 denarë në barnatore, ka pasur reagime të shumta negative nga pacientët, transmeton Portalb.mk nga Slloboden Peçat.
Nga përfaqësia farmaceutike “Providens”, e cila në Maqedoninë e Veriut është mbajtëse e autorizimit për qarkullimin e ilaçit “Foster”, thanë se ndryshimi i çmimit referues të ilaçit ka sjellë rritje të participimit (bashkëpagesës) në barnatore, përkatësisht një rritje të ndjeshme të kostos për pacientët.
“Jemi të vetëdijshëm se kjo ka shkaktuar reagime të forta në opinion, si dhe shqetësim dhe revoltë te pacientët. Po bëjmë përpjekje maksimale, si përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me prodhuesin, ashtu edhe me Fondin për Sigurim Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të gjetur zgjidhje. Prioriteti ynë mbetet kujdesi për pacientët dhe sigurimi i qasjes së vazhdueshme në terapi adekuate dhe origjinale. Faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen dhe shpresojmë për një rezultat pozitiv në interes të të gjitha palëve të përfshira”, deklaruan nga “Providens”.
Ilaçi inhalator “Foster” përdoret nga pacientët në Maqedoninë e Veriut që nga viti 2009.
Ai u bë më i shtrenjtë pasi në Listën Pozitive u fut ilaçi gjenerik “Bloceta”, i cili sipas Fondit të Shëndetësisë konsiderohet zëvendësues i “Foster”-it dhe për të cilin pacientët nuk do të kenë nevojë të paguajnë bashkëpagesë. Çmimi i ilaçit origjinal “Foster” u rrit për pacientët sepse Fondi e uli pjesëmarrjen e tij në mbulimin e kostos së këtij ilaçi, pra e uli çmimin referues. Në praktikë, kjo nënkupton se pacienti tani paguan bashkëpagesë më të lartë.
Nga Ministria e Shëndetësisë thanë se po bëhen përpjekje që çmimi të normalizohet.
“Ministria e Shëndetësisë ka kontaktuar kompaninë që mban autorizimin për qarkullimin e ilaçit ‘Foster’ dhe ka marrë informacione se po zhvillohen bisedime me prodhuesin, me qëllim që edhe ky ilaç origjinal të jetë i disponueshëm në të ardhmen pa bashkëpagesë për pacientët”, thanë nga ministria.
Megjithatë, Ministria nuk iu përgjigj pyetjeve se cilët persona janë anëtarë të Komisionit që vendosi të ulë çmimin referues të “Foster”-it, gjë që rezultoi me rritjen e bashkëpagesës për pacientët.
Po ashtu, Ministria nuk tregoi se kur saktësisht ilaçi gjenerik “Bloceta”, konkurrent i “Foster”, u shtua në Listën Pozitive A dhe kush është prodhuesi i tij.
“Sipas harmonizimit të fundit të çmimit të këtij ilaçi, të realizuar në qershor të vitit 2026, Fondi për Shëndetësi u ka ofruar pacientëve mundësi zgjedhjeje mes dy prodhuesve të ilaçit (kompani gjenerike dhe kompani origjinale farmaceutike), me bashkëpagesë më të lartë ose më të ulët, ose zgjedhje të një ilaçi pa bashkëpagesë”, thanë nga Ministria.
Siç raportoi dje Slloboden Peçat, ka pacientë që dëshirojnë të vazhdojnë ta përdorin ilaçin e vjetër “Foster”, të cilin kompania “Providens” e ka të regjistruar dhe e importon në Maqedoninë e Veriut nga një prodhues italian që nga viti 2009. Ata thonë se do të përdorin të gjitha mekanizmat ligjorë për reagim dhe tashmë, me ndihmën e juristëve, po përgatisin një ankesë drejtuar Fondit për Shëndetësi, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë së Barnave, duke kërkuar rishikimin e vendimit dhe rikthimin e bashkëpagesës së mëparshme.