Remitancat nga diaspora kapin vlerën e 651 milionë eurove brenda gjashtë muajve në Kosovë

Mbi 651 milionë euro ka dërguar diaspora në Kosovë në periudhën janar-qershor të këtij viti. Vlerë kjo mbi 21 milionë euro më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, raporton Koha.net.

Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se rritja e remitencave në vendin tonë vjen si pasojë e ngritjes së inflacionit, rrjedhimisht çmimeve të larta, që ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes ekonomike të familjeve në Kosovë,

Ata thonë se ngritja e vlerës së remitencave është tregues jo i mirë për ekonominë e vendit.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK),  gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, shuma e dërgesave nga diaspora ka arritur në 651.7 milionë euro, ndërsa të dhënat për muajin qershor janë ende paraprake.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur dërgesat kishin arritur në 630.1 milionë euro, këtë vit është shënuar një rritje prej 21.6 milionë euros.