Recetë për kërkuesit e votave të popullit

Tashpërtash, askush nuk e di çfarë do të sjellin zgjedhjet e ardhshme dhe askush nuk mund t’i parashohë as efektet e dobishme as pasojat e shushatjes kolektive, sepse të dyja janë të mundshme në shtetin e çudirave. Do të doja që në zgjedhjet e radhës, kandidatët për pushtet t’na tregojnë shkoqur dhe qartë ku e kanë ndër mend t’na shpiejnë? Le të luftojnë për qëndrimet e tyre me argumentet që kanë, le të lobojnë me parimësi gjithandej ku mund ta bëjnë këtë, le të premtojnë gjithçka që mund të realizojnë nga dita që do t’i fitojnë zgjedhjet, por, le të mos i marrin si lojë çështjet që kanë të bëjnë me fatin e kombit. Le të mos vadisin kuturu, le të mos shesin kopalla, le të mos shpërndajnë mjegull, le të mos premtojnë kurgjënë, le të mos na i kripin trutë…, sepse asgjë nuk do t’i marrë në qafë më shumë se përçmimet që do t’ia bëjnë shqiptarit, që ndoshta duket qeshit së jashtmi, po t’shet e t’blenë si s’na e merr mendja. Kjo është dëshmuar sa e sa herë, apo?

Në veçanti nuk do të doja të përjetoj përvojat zgjedhore të çerekshekullit të shkuar, kur nuk kanë munguar britmat për djegien e shqiptarëve në komora gazi, vringëllimat e shpatave, betimet për moral të pronarëve të bordellos, armiqësitë për vdekje të oponentëve politikë, ndërhyrjet në proceset zgjedhore me patericat e tjetrit…, sepse është e dhimbshme të shohish imazhin e përdhosur të njerëzve që jetojnë me shekuj pranë njëri-tjetrit.

Shi për këtë, po e them nga del shpirti, se po t’ma kishte falur Zoti guximin për të kërkuar me lehtësi të papërballueshme votën e popullit: do të matesha në kandar për ta njohur mirëfilli peshën time reale; do ta sodisja veten gjatë në pasqyrë; do t’kërkoja prej atyre që më duan dhe atyre që më kanë zët, t’ma thonë: si e shohin profilin dhe shpinën time?; do t’i bija përokolla shtëpisë për të parë çarjet eventuale; do t’i pyesja familjarët, miqtë, dashamirët: a e kam hallin për të qeveris popullin, pa e ditur si qeveriset familja?; do t’i lexoja pak më gjatë njerëzit në sy; do ta fusja nën llupë nivelin tim intelektual, aftësitë profesionale, prirjet për hajdutëri dhe keqbërje; do ta ktheja kokën pas për t’u siguruar se s’më ndjek ndërgjegja; do t’i kruaja fanoliançe shokët e kauzës; do ta studioja takatin real të subjektit tim politik; do ta studioja në veçanti dinakërinë e tjetrit që mpreh satarën për qafën time; do ta mendoja si do ta ndihmoj popullin tim në rrethanat kur ligjet i vendos makineria e votave të shumicës së tjetrit?; si do ta siguroj paqësisht votimin e ligjeve për barazi të plotë gjuhe, flamuri, punësimi, arsimimi, financimi?; si do ta ndal ekzodin e të rinjëve shqiptarë?; si do ta luftoj metilin shqipfolës që grimcon pariparueshëm substancën etnike?; si do të bind dy shtetet shqiptare që të interesohen për fatin tonë, e hajt bir.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.