Në gusht të vitit 1989, gjatë një udhëtimi nga Shkupi në Ulqin, një pasagjere që ishte ulur pas meje po bisedonte me një person tjetër për një botë që do të automatizohej.
Nuk e dija nëse ishte pedagoge apo jo. Ajo po fliste për “makinat inteligjente” që një ditë do të ishin pjesë e së ardhmes.
Ndërsa autobusi i afrohej qytetit të Tivarit dhe po shkonte drejt Ulqinit, gjithçka më kalonte nëpër mendje.
Biseda e saj tingëllonte më shumë si një fantazi sesa si një realitet.
Ndërkohë, disa muaj më vonë, në nëntor të po atij viti, Muri i Berlinit u shemb dhe bota bipolare e ndarë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore (LDB) u kthye për disa dekada në një rend unipolar nën udhëheqjen e ShBA-së.
Por jo tani, kur Kina dhe aktorë të tjerë e kanë ndryshuar këtë rend, duke na rikthyer këtë herë në një Luftë të Ftohtë, po në një plan digjital.
Pothuajse katër dekada që nga ajo bisedë, debati për inteligjencën artificiale, makinat autonome, algoritmet etj., janë tregues të ndryshimeve të thella.
Janë shenja që tregojnë se bota përsëri po ndahet në blloqe më të përparuara, në një mënyrë pak më tjetër, midis një bote qendrore digjitale dhe një bote periferike.
Në shtesë në artikujt tanë të mëparshëm, i kemi analizuar teoritë thelbësore të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke përfshirë realizmin, idealizmin, konstruktivizmin, etj dhe se si shtetet dhe vendimmarrja përshtaten brenda tyre.
Por, ndërsa bota po ndryshon, veçanërisht me inteligjencën artificiale, infrastrukturën digjitale dhe makinat autonome që marrin vendime, kjo ka ushtruar presion mbi një paradigmë të re e quajtur si “marrëdhëniet ndërkombëtare kompjuterike” (“komint”) e cila po kalon në “realizëm algoritmik”, me prirje të bëhet e rëndësishme në dekadën e ardhshme.
Tani të përqendrohemi në këtë paradigmë e cila në thelb, do t’i përfshijë të gjitha shtetet pavarësisht fuqisë dhe gjeografisë.
Dhe pse e them këtë? Sepse në botën digjitale, kur gjithçka ndërtohet mbi rrjetet e inteligjencës artificiale, gjysmëpërçuesit dhe shumë më tepër, shtetet që do t’i kenë të gjitha këto kapacitete do të kenë mundësi për të projektuar fuqi dhe dominim.
Në thelb, ky është “realizmi algoritmik” dhe jo realizmi klasik, në të cilin vendimmarrja ishte një lloj procesi dhe varej nga pozita gjeografike, kapacitetet ushtarake, politike, ekonomike etj., i shteteve në arenën ndërkombëtare.
Sot është e vështirë të thuhet se “realizmi algoritmik” është një disiplinë e konsoliduar, por siç e përmenda, në dekadën e ardhshme me siguri do të shfaqet si një teori kryesore brenda “informatikës së marrëdhënieve ndërkombëtare” dhe më shumë.
Të dy konceptet do të ecin përpara: “realizmi algoritmik” dhe “realizmi sintetik”.
E dyta, ajo sintetike, do të jetë më e vështira për t’u ndjekur sepse ka gjasa kjo disiplinë të manipulojë informacionin në procesin e vendimmarrjes politike, ushtarake etj.
Për të parandaluar gabimet në raste reale e konkrete, “realizmi algoritmik” do të përparojë për të parandaluar vendime të tilla në raste të rëndësishme.
Sidoqoftë të dyja konceptet janë pjesë e (“komint”).
Trajtimi aktual nuk është thjesht një zhvendosje nga qasjet filozofike në teknologji.
Në fakt paradigma (“komint”) na kujton filozofin dhe historian gjerman Oswald Spengler me librin e tij “Njeriu dhe Teknika” (Der Mensch und die Technik).
Sipas Spengler-it, teknologjia në thelb është një armë e përdorur për të dominuar natyrën (Spengler 1932, 10).
Bota digjitale do të ndihmojë që “informatika e marrëdhënieve ndërkombëtare” të zgjasë për një kohë të gjatë, siç ishte dhe është realizmi klasik.
Ndërsa sapo i kemi prekur këto koncepte në rritje në terma praktikë, politika botërore do të përballet me dy ndarje të mëdha: bota qendrore digjitale e cila do të udhëheqë me çështjet ushtarake, ekonomike, të inteligjencës artificiale dhe teknologjike, dhe e dyta, bota periferike ku këtu do të bëjë pjesë edhe Ballkani Perëndimor me shtetet tjera.
Shtetet me kapacitete jo digjitale do të detyrohen të bëhen pjesë e këtij sistemi në ngritje.
Është në interes të shihet se cilat shtete, në dekadat e ardhshme, do t’i kenë sistemet më të forta.
Dhe si shtetet e tjera, pavarësisht forcës dhe ideologjisë, do të dalin në përgjigje të kësaj nga nevoja për të mbijetuar.
Dhe këtu çështja do të bëhet më interesante dhe e rrezikshme për shtetet dhe demokracitë e brishta.
Ato shtete që do të zgjedhin të qëndrojnë jashtë infrastrukturës së “realizmit algoritmik”, do të jenë në një pozitë më të brishtë të ndikuara nga forca e “realizmit sintetik” e cila do të pretendojë se marrëdhëniet dhe ngjarjet ndërkombëtare janë të rreme dhe jo reale.
Për t’u rikthyer te “realizmi algoritmik”, duhet nënvizuar se ai është si një vazhdim i teorive të mëparshme të John Locke-ut, Kenneth Waltz-it, Hans Morgenthau-t, etj., por siç e përmenda, bota digjitale po kërkon qasje më të thelluara për të menaxhuar çështjet ndërkombëtare.
Me realizmin klasik, në shekullin e fundit, shtetet dhe udhëheqësit kanë marrë shumë vendime, duke përfshirë këtu qasjen idealiste dhe konstruktiviste në politikën ndërkombëtare.
Në epokën që po vjen, modeli i vendimmarrjes do të bazohet gjithnjë e më shumë në “realizmin algoritmik”.
Lufta në Ukrainë, na tregon më shumë rreth këtyre qasjeve të reja, ku inteligjenca artificiale zëvendësoi disa role në fushëbetejë duke përfshirë këtu dhe hapat e lidershipit në vendimmarrje.
Sidoqoftë, udhëtimi i vitit 1989 ende më përndjek, veçanërisht fjalët e pasagjeres së ulur pas meje për “makinat inteligjente.”
Në fund të fundit, kush e mendoi se ne do të bëhemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha.
Në fakt kjo mund të shihet si një tendencë për ndryshim në qasjet se si e shohim botën, se çfarë është e mirë dhe e keqe, bazuar në makinat dhe të menduarit e automatizuar duke mos përjashtuar “realizmin algoritmik” dhe “sintetik”.
Gjendja aktuale na kujton mitin e Faustit dhe frikën nga rruga e nisur ku makinat vendosin për fatin e shteteve, e jo si tani ku burrështetasit vendosin ende nëse problemet do të trajtohen me forcë (realizmi klasik) apo me diplomaci (idealizmi).