Nga “duhen dy vite” te “nuk ka iniciativë”, një pjesë e lagjes Dardania në Tetovë ende pa plan urbanistik
Një pjesë e lagjes Dardania në Tetovë vazhdon të mbetet pa plan të detajuar urbanistik, ndonëse në vitin 2023 u tha se do të duheshin rreth dy vite për këtë proces, nga Komuna e Tetovës tani thonë se nuk ka nismë për sjelljen e planit të ri urbanistik për këtë pjesë, transmeton Portalb.mk.
Në pjesën e lagjes “Dardania”, përkatësisht te hapsira që quhet “Dereboj” janë ndërtuar shtëpi ndërkaq banorët ankohen se nga mungesa e planit urbanistik dhe asaj që është e paraparë në planin gjeneral për “industri të vogël” detyrohen të paguajnë shuma të mëdha EVN-së dhe kompanive tjera private të telefonit. Ndërsa përballen edhe me probleme tjera siç është mungesa e adresave, lidhjeve dhe kështu me radhë.
Të pyetur se kur do të sillet plani detal urbanistik për këtë pjesë, nga Komuna e Tetovës thanë se kjo nuk është në plan.
“Konkretisht, iniciativë për sjelljen e planit të ri urbanistik nuk ka”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Sa i përket shtëpive të komunitetit rom të cilat gjenden në këtë pjesë, nga komuna thonë se shumica e objekteve janë të legalizuara shumë më herët, por në mungesë të planit urbanistik, nuk mund të rrënohen që nënkupton se nuk ka bazë ligjore për inicim të procedurës së shpronësimit.
“Në lagjen rome të quajtur Krasniqët, në Komunën e Tetovës, janë duke u ndërmarrë disa iniciativa, ndër të cilat rregullimi i planit urbanistik dhe projekti për rregullimin e shtratit të lumit, thanë nga Komuna e Tetovës.
Kujtojmë se në tetor të vitit 2023 nga Komuna e Tetovës patën deklaruar se po punohet në drejtim të planit detal urbanistik të kësaj pjese dhe se do të duhen dy vite deri në përfundimin e të njëjtit.
Plani Detal Urbanistik për lagjen Dardania ishte edhe premtim parazgjedhor gjatë mandatit të kaluar të kryetarit aktual të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit i cili qëndronte te pjesa e urbanizmit në programin zgjedhor 2021-2025 për Tetovës.
Krahas këtij problemi, banorët e lagjes Dardania përballen edhe me probleme tjera si mbeturinat, ndotja e lumit Shkumbin, ndriçimi publik, qentë endacakë dhe të tjera, për të cilat Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht. Megjithatë, periudhën e fundit ka pasur edhe punime, u asfaltua një rrugë, filluan punimet për ndërtimin e murit mbajtës të lumit.
- LEXO: Një pjesë e lagjes “Dardania” në zëmër të Tetovës pa plan urbanistik, duhen dy vite kohë për finalizim
- LEXO: Punimet për shtratin dhe murin mbajtës të Shkumbinit zvarriten, lagja Dardania në kolaps ekologjik (Video)
Ndryshe, viti 2026 Tetovën e gjen pa plan gjeneral urbanistik të miratuar. Ndonëse u tha se i njëjti do të jetë gati gjatë këtij viti, ende nuk janë përmbyllur procedurat, ndërsa nuk ka afat konkret se kur do të miratohet ky plan.