Rasti “Monstra” do të shkojë në Gjykatën e Strasburgut

Avokati mbrojtës i të dënuarve në rastin Monstra paralajmëron se vendimi i Gjykatës Supreme do të dërgohet në gjykatën e Strasburgut, shkruan Alsat, transmeton Portalb.mk.

Naser Raufi thotë se vendimi i Supremes për të hedhur poshtë ankesat e dënuarve është i padrejtë, madje ai shprehet i bindur se zvarritja e procesit gjyqësor dëshmon se “Monstra” është rast i montuar.

“Ne do të aplikojmë te Gjykata e Strasburgut, kemi afat për pranimin e aktgjykimit prej 4 muaj për aplikim. Dhe mendoj qe këtu flagrante është dhe është dëshmuar se është thyer edhe mbrojtja, në shumë momente në shumë stadiume te gjykimit…Edhe para 11 viteve kur filloi kjo lëndë, te jemi te qarte se kishim dëshmi për këtë lëndë se këta nuk ishin fajtorët, kjo lëndë nuk do te zgjaste 11 vjet. Do te kryhej për 1 vjet ose 2 vjet. Vetë fakti që një dekadë bën rasti, tregon se është rast klasik i montuar”, tha Naser Raufi, avokat.

Ndërkohë partia Alternativa vlerëson se vendimi i Gjykatës Supreme për rastin “Monstra” e vulos fatin e shqiptarit të dënuar në procese të montuara.

“Sistemi i Gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut i dënon të pambrojturit dhe i shpërblen kriminelët e fuqishëm. Dëshmi për këtë ishte miratimi i përshpejtuar i Kodit Penal, me të cilin e shpëtuan Nikolla Gruevskin dhe shumë kriminelë si ai, njësoj siç synon edhe propozim-ligji për amnisti, me të cilin amnistohen disa kriminelë që i duhen pushtetit për të bërë dhunë dhe keqpërdorime zgjedhore”, thonë nga Alternativa.

Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut, dje i ka hedhur poshtë ankesat e të dënuarve në rastin “Monstra” dhe e ka lënë në fuqi aktvendimin e Apelit.

Supremja që në vitin 2017-të, Gjykata Supreme e riktheu në shkallë të parë lëndën, pasi i pranoi ankesat e palës mbrojtëse.

Lënda filloi nga e para dhe sipas aktgjykimit të shkallës së parë gjatë rigjykimit, i shqiptuar më 23 shkurt 2021, për rastin “Monstra”, gjegjësisht vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, ashtu siç propozoi Prokuroria u shpallën fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati në Kosovë) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për “ndihmë”. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave.

Më 6 shtator 2022, Gjykata e Apelit në Shkup u shpall vendimi për rastin “Monstra” dhe sipas të njëjtit, janë hedhur poshtë ankesat e të akuzuarve dhe njëkohësisht është miratuar vendimi i shkallës së parë, gjegjësisht Gjykatës Penale të Shkupit.

Të dënuarit dhe familjarët e tyre e mohojnë përfshirjen e tyre në këtë ngjarje dhe akuzojnë funksionarë shtetërorë për inskenim.

Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës ku mbetën të vrarë Filip Sllavkovski (18), Aleksandar Nаqevski (18), Cvetanço Acеvski (18), Kire Tërpkovski (20) dhe Borçe Stevkovski (45) ka ndodhur më 12 prill 2012-të dhe është njëri prej rasteve më makabre dhe më të mistershme që kanë ndodhur ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.

PËR MË SHUMË LIDHUR ME TEMËN LEXO: