Raportimet për bomba në shkollat në Shkup dhe Kumanovë ishin të rreme, konstatuan kontrollet e MPB-së
Raportimet për bomba të vendosura që mbërritën dje në e-mail adresat e shkollave në Shkup dhe Kumanovë ishin të rreme, njofton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Pas marrjes së raportimeve për mjete të vendosura shpërthyese, zyrtarët e policisë dolën në terren dhe pas kontrolleve në shkolla, u përcaktua se edhe raportet e sotme për bomba ishin të rreme, transmeton Portalb.mk.
“U morën menjëherë masa dhe aktivitete të përshtatshme, u kryen kontrollet e nevojshme dhe u përcaktua se këto ishin raportime të rreme”, thotë Ministria e Punëve të Brendshme.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) thotë se dje rreth orës 18:00, u raportua se 30 shkolla në Shkup kishin marrë mesazhe kërcënuese dhe 17 shkolla të tjera në Kumanovë kishin marrë mesazhe të tilla.
Ndryshe, dje, pas marrjes së raporteve, kreu i Sektorit të Arsimit në Komunën e Kumanovës, Aleksandar Jovanoviq, informoi se të gjithë nxënësit ishin evakuuar në mënyrë të sigurt.
“Alarmi për bombë është dërguar përmes postës elektronike, pas orës 17:00. Nga shkolla lajmëruan policinë e cila arriti menjëherë, nxënësit u evakuuan në mënyrë të sigurt. Mbetet që shërbimet kompetente ta kontrollojnë gjendjen”, deklaroi udhëheqësi i sektorit për arsim Aleksandar Jovanoviq.
Disa media raportuan dje se raportet për bomba në Shkup kishin mbërritur në e-mail adresat e shkollave në Komunën e Aerodromit, pas së cilës të gjitha aktivitetet e pasdites në ato shkolla u pezulluan dhe fëmijët u dërguan në shtëpi.
Ndryshe, kërcënime me bomba nëpër shkollat e Maqedonisë së Veriut ka pasur vazhdimisht nga viti 2022 e këndej, por që rezultonin të rrejshme. Raportimet e fundit ishin në fillim të vitit 2025-të.
Kërcënimet me bomba kanë qenë gjithashtu të përhapura edhe në rajon.