Raport për lirinë e mediave në Maqedoninë e Veriut: Progres mbi këmbë të qelqta

Të krijohet një fond publik për mbështetjen e medias bazuar në kritere objektive dhe me pavarësi të plotë, në përputhje me standardet ekzistuese evropiane, të ruhet ndalimi i rreptë i reklamave shtetërore në media, të vendoset një zhig ujor i qartë në materialet e komunikimit nga Qeveria, për të bërë të qartë burimin e tyre për publikun, të miratohet rregullativë ligjore kundër padive strategjike ndaj pjesëmarrjes publike (SLAPPs), të përmirësohet përgjegjësia e politikanëve dhe zyrtarëve publikë për deklaratat dhe sjelljet armiqësore ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias – këto janë vetëm disa nga rekomandimet të përfshira në Raportin për misionin Fact Finding që u krye nga 5 deri më 7 qershor në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Raporti i ekspertëve u prezantua dje nga Ricardo Gutierrez, i cili ishte i pranishëm në ngjarje, ndërsa kolegët e tjerë, Jamie Wiseman, Lawrence Hutting dhe Massimo Moratti prezantuan pjesën e tyre të raportit online.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ) Gutierrez theksoi se megjithëse ka përparim në gjendjen e hapësirës mediatike, ai theksoi problemin me politikanët, respektivisht nevojën urgjente se ka nevojë urgjente që ata të kuptojnë rolin e gazetarëve dhe mediave.

“Ne u takuam me të gjithë aktorët relevantë në shoqëri. Misioni ynë ka vërejtur një përmirësim të situatës, por kemi vërejtur edhe mungesë ndërgjegjësimi tek vetë politikanët për rolin e gazetarëve dhe pozicionin e tyre si ruajtës të demokracisë. Mediat dhe gazetarët shihen si instrumente të pushtetit politik dhe interesave të pushtetit shtetëror. Ka nevojë urgjente që politikanët të kuptojnë rolin e gazetarëve dhe ta konsiderojnë Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë si partner themelor në zbatimin e çdo politike mediatike në vend. Ne u bëjmë thirrje dhe i inkurajojmë politikanët dhe vendimmarrësit që të guxojnë dhe të gjejnë zgjidhjet e duhura për problemet e duhura”, tha Gutierrez.

Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski, në prezantimin e tij për këtë temë, përshëndeti përpjekjet e kolegëve të tij gjatë gjithë procesit të skanimit të gjendjes së mediave në vend, theksoi nevojën për zgjidhje sistematike të problemeve me të cilat ballafaqohen gazetarët dhe tha se liria e shprehjes duhet të ketë përparësi ndaj interesit të biznesit dhe të politikës për të krijuar një shoqëri më të drejtë:

“Kolegët që morën pjesë në krijimin e këtij raporti gjetën titullin më të mirë të mundshëm – Liria e mediave në Maqedoni – përparim mbi këmbë të qelqta. Sot Maqedonia e Veriut është në vendin e 38-të në Raportin e Reporterëve pa Kufij dhe kjo është mirë, ne e mirëpresim, por mendoj se duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo pamje nuk është plotësisht e vërtetë dhe mund të ndryshojë brenda natës. Në mungesë të zgjidhjes sistematike të mangësive, problemet me presionet e mundshme me të cilat ballafaqohen gazetarët, gazetaria dhe mediat në Maqedoninë e Veriut, mund të na kthejnë në vitin 2013 dhe në vend të vendit të 38-të të gjendemi në vendin e 123-të. Besoj se duke zbatuar rekomandimet e kolegëve tanë evropianë, do të arrijmë tek zgjidhja e duhur. Sa më shpejt, aq më mirë, sepse liria e shprehjes duhet të ketë përparësi ndaj interesave të biznesit dhe të politikës”, tha Çadikovski në fjalimin e tij.

Misioni Fact Finding kishte për qëllim të hetojë lirinë e medias në Maqedoninë e Veriut. Në kuadër të tij ishin përfaqësues të pesë shoqatave ndërkombëtare të gazetarëve dhe mediave, të cilët zhvilluan takime pune me institucionet kryesore në Maqedoninë e Veriut. Janë zhvilluar takime me presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski, kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi, me drejtorët e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele dhe të RTM-së, me Ministrin e Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu, me Ambasadën e BE-së dhe SHBA-së në Maqedoninë e Veriut dhe me një grup gazetarësh. Grupi i ekspertëve ishte i përbërë nga: Ricardo Gutierrez – Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) Albana Shala – Free Press Unlimited, Jamie Weisman – Instituti Ndërkombëtar i Medias (IPI) Lawrence Cornelis Hutting – Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) Massimo Moratti – Osservatorio Balcani e Caucaso Transeurop dhe prodhoi një raport mbi lirinë e medias në Maqedoninë e Veriut me titull “Progresi mbi këmbë të qelqta – raport nga Misioni për të vlerësuar situatën me lirinë e medias”.

Misioni i vlerësimit zbuloi se është bërë përparim në vitet e fundit, ndërkohë që vendi vazhdon të rikuperohet nga përkeqësimi i rëndë i lirisë së medias gjatë dekadës së kaluar. Megjithatë, ky përparim mund të minohet lehtësisht dhe mbetet shumë punë për të konsoliduar të gjitha përfitimet dhe për të kapërcyer sfidat sistematike. Sa i përket sigurisë së gazetarëve, Maqedonia e Veriut mbetet relativisht e sigurt në krahasim me vendet e tjera në rajon.

Raporti i plotë është në dispozicion në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën angleze në faqen e internetit të SHGM-së.