Pavarësisht progresit, gazetaria mbetet në rrezik në Maqedoninë e Veriut

Ka përparimi në lirinë e medias dhe kushtet e punës së gazetarëve në vitet e fundit, por ky përmirësim është i brishtë dhe duhet konsoliduar, thuhet në një tekst të Federatës Evropiane të Gazetarëve (FEG), pas një misioni për gjetjen e fakteve (fact-finding) në Maqedoninë e Veriut, i cili  u zhvillua nga 5-7 qershor 2023, ku morën pjesë FEG, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Free Press Unlimited (FPU), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI) dhe Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa (OBCT) mori pjesë në një mision faktmbledhës në Maqedoninë e Veriut, organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM), transmeton Portalb.mk

Nga FEG thonë se e mirëpresin miratimin e fundit të ndryshimeve në Kodin Penal. Sipas dispozitave të reja, të zhvilluara në bashkëpunim me shoqërinë civile lokale, sulmet ndaj gazetarëve do të trajtohen njësoj si sulmet ndaj zyrtarëve publikë, duke sjellë ndjekje penale ex officio dhe dënime më të rënda.

“Ne vlerësojmë gjithashtu vendimin e prokurorisë publike për të krijuar një pikë kontakti të caktuar për punonjësit e mediave që sulmohen dhe protokollin që është zhvilluar për të mbrojtur më mirë gratë gazetare nga sulmet në internet”, thuhet në vlerësim.

Nga FEG gjithashtu thonë se e pranojnë përmirësimet në ligjet për përgjegjësi civile për fyerje dhe shpifje dhe nëse zbatohen siç duhet, këto rregulla të reja mund të kontribuojnë në luftën kundër mosndëshkimit për krimet kundër gazetarëve, e cila mbetet një çështje shqetësuese dhe dekurajon sulmet dhe kërcënimet e ardhshme.

“Presim të shohim reforma të mirëseardhura të transmetuesit publik dhe rregullatorit të medias të miratuara nga parlamenti në kohën e duhur. Kërkohet një qasje më sistematike për harmonizimin e legjislacionit të medias me acquisin dhe standardet e BE-së”, thuhet në vlerësimin e FEG.

Pavarësisht këtij progresi, FEG vlerëson se gazetaria mbetet në rrezik në Maqedoninë e Veriut. Polarizimi, mungesa e pluralizmit, kushtet e këqija të punës dhe kompanitë e paqëndrueshme të medias karakterizojnë peizazhin. Nevojitet veprim vendimtar nga autoritetet për të siguruar që qytetarët e Maqedonisë të kenë akses në informacione të pavarura dhe pluraliste.

“Në diskutimet tona me autoritetet, ne ngritëm mundësinë e krijimit të një fondi publik për pluralizmin mediatik. Kjo do të siguronte shpërndarjen e mbështetjes në mënyrë objektive dhe të barabartë, duke forcuar përmbajtjen cilësore, diversitetin e pozicioneve editoriale dhe kushtet e punës së gazetarëve. E mirëpresim sinqeritetin e bashkëbiseduesve tanë, veçanërisht presidentit të Republikës, Stevo Pendarovski dhe kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, për të diskutuar mbi këtë propozim. Megjithatë, jemi të shqetësuar që kemi mësuar nga kryeministri dhe ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës Publike, Azir Aliu, se Qeveria po shqyrton rikthimin e reklamave shtetërore përmes fushatave politike me pagesë në mediat private. Përveçse është e dyshimtë për sa i përket përputhshmërisë me acquisin e BE-së për ndihmën shtetërore, kjo qasje do të shërbejë për të përforcuar pozicionin e mediave tashmë dominuese në kurriz të mediave më të vogla dhe për të rritur rrezikun e ndërhyrjes politike në media”, thuhet në tekstin e FEG.

Ata thonë se janë të shqetësuar nga deklaratat e bëra nga politikanë dhe bartës të posteve publike që kontribuojnë në një klimë armiqësore për gazetarët.

“Kemi parë raste të përsëritura të politikanëve në të gjithë spektrin që vënë në pikëpyetje profesionalizmin e gazetarëve individualë, duke lënë të kuptohet se ata po i shërbejnë motiveve të fshehta jashtë interesit publik dhe duke bërë deklarata të pajustifikuara gjithëpërfshirëse që e vënë të gjithë profesionin në një dritë negative. Ndërsa bashkëbiseduesit tanë pranuan se krijimi i një mjedisi të favorshëm për sigurinë e gazetarëve është thelbësor, ne jemi të zhgënjyer kur konstatojmë mungesën e angazhimit për veprime konkrete që mund të përmirësojnë situatën. Në përgjithësi, kjo sjellje e papranueshme e politikanëve minon besimin e publikut në media dhe u tregon të tjerëve se gazetarët janë një objektiv i drejtë për ngacmime në mediat sociale, Paditë Strategjike kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPPS), ose më keq”, thuhet më tej.

Muajt në vijim pritet edhe publikimi i një raport me gjetjet e plota të misionit fakt-gjetës, përveç një qëndrimi të detajuar të politikave mbi nevojën e krijimit të një fondi publik për pluralizmin mediatik.

“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizën tonë për të avancuar pluralizmin mediatik dhe sigurinë e gazetarëve në Maqedoninë e Veriut dhe do të vazhdojmë të ndjekim zhvillimet nga afër në bashkëpunim me partnerët tanë vendas”, thonë nag FEG.

Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike, Audio dhe Audio-Vizuale (AShMAA) dhe Këshillit Programor të RTM-së, gjë që është kritikuar edhe në këtë tekst të Federatës Evropiane të Gazetarëve ka ngecur nga mos-krijimi i shumicës së dy të tretave në Parlamentin e Maqedonisë. Zgjedhja zvarritet tashmë tre vite, për faktin se dy partitë maqedonase nuk arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët.

Kujtojmë se në ditën e lirisë së mediave (3 maj 2023), Gazetarët Pa Kufij kanë publikuar raportin për Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit. Maqedonia e Veriut e radhitur në vendin e 38-të, pas saj Mali i Zi në vendin e 39, janë në grupin e vendeve me gjendje “pak a shumë të mirë”, ose të kënaqshme. Maqedonia e Veriut ka pasur një rritje me 19 vende nga viti i kaluar, ndërsa Mali i Zi një përmirësim me 24 vende.

“Maqedonia e Veriut mbetet në gjysmën e dytë të vendeve të BE-së/Ballkanit, por ka potencial real për ndryshim, ashtu si Mali i Zi dhe Kosova. Kohët e fundit janë ndërmarrë masa sistematike për rritjen e vlerësimit të sigurisë dhe ligjore, përkundër sulmeve të vazhdueshme ndaj gazetarëve: hyrja në fuqi e amendamenteve që dhuna kundër gazetarëve të konsiderohet si rrethanë rënduese dhe caktimi i një prokurori special në Shkup për të trajtuar rastet e gazetarëve”, tha Pavol Salaj, kreu i zyrës BE/Ballkan të Reporterëve pa Kufij.

Në analizën e situatës me mediat në Maqedoni, më tej thuhet se ato vazhdojnë të përballen me financime jotransparente dhe jostabile, konflikt interesash, presione politike, fushata shpifëse dhe ngacmime në rrjetet sociale.