Rikthehet “Karantina”, të shtunën pritet të gjithë “të infektohen” në Teatrin e Gostivarit

Teatri i Gostivarit pas anulimit të premierës shkaku i lëndimit që mori një aktore, po e rikthen premierën e shfaqjes “Karantina” , shfaqje kjo e punuar nga regjisori Gent Çajani muaj më parë. Premiera do të jepet këtë të shtunë, pra më 4 nëntor, në orën 20.00, njofton Portalb.mk.

Afishe e shfaqjes ''Karantina''
Afishe e shfaqjes ”Karantina”

Më datë 26 tetor Teatri i Gostivarit realizoi edhe premierën e radhës për komunitetin turk  ‘’ Open family‘’ me regjinë e drejtuesit të këtij teatri, regjisorit Sulejman Rushitit , ndërsa në vazhdim kasta e këtij teatri sjellë premierën në vazhdim, shfaqjen në gjuhën shqipe ‘’ Karantina’’ . Nisemi në udhëtim për në të ardhmen! Zbuloni kush është i infektuar me të qeshura! Pjesëmarrja në eksperiment: 300 denarë ’’ shkruan kështu në faqen e Teatrit të Gostivarit ku tashmë kuptojmë dhe çmimin e biletës dhe pak nga ngjarja.

Teksti “Karantina” është shkruar nga autori: Jean Pierre Martinez, vjen i interpretuar nga regjisori: Gent M. Çajani, me muzikë nga Luan Dehari – Primodrum

Në role interpretojnë kasta e këtij teatri: Ajshe Useini, Kujtime Ahmeti, Afrodita Xhaferi, Arian Ejupi. Poster design: Vigan Demi.

Lidhur me konceptin rreth shfaqjes dhe leximit që i ka bërë regjisori kësaj vepre, për Portalbin Gent Çajani thotë: ‘’Kur njerëzit bëhen pre e sistemi të udhëhequr nga ujqërit hije që fshihen pas botës dixhitale, ne shndërrohemi në robotë! Katër personazhet e shfaqjes “Karantina” nga autori – Jean Pierre Martinez, e tregojnë shumë mirë se si është të jetosh i kontrolluar nga rendi i ri botëror. Shfaqja flet për një të ardhme të afërt ku librat dhe fjalori janë zhdukur dhe gjithçka është zëvendësuar me mjete elektronike. Njerëzve u ndalohet gjithçka nga ajo që na dallon nga kafshët. Fjala e lirë dhe buzëqeshja konsiderohen si krim. Për tu liruar nga kafazi i krijuar nga urdhri i guidës supreme duhet të luftosh me të gjithë njerëzimin sepse të gjithë kanë kaluar në metamorfozën e Kafkës dhe askush nuk njeh vetveten. Nocioni “Religjion” , “Gjini” dhe “Komb” janë zhdukur nga “Vëllai i madh” i një Big Brotheri botëror”, përfundon ai.

Shfaqja është e zhanrit komedi. Si tekst është i ri, pasi dhe nocioni karantinim edhe pse jo i ri, për gjeneratat tona mund të thuhet ishte i pa sprovuar më parë. Por, të shohim se ç’na thotë ngjarja?!

Katër të panjohur e gjejnë veten të karantinuar me forcë në atë që rezulton të jetë një teatër i braktisur. Të ulur pas një pasqyre imagjinare të dyanshme, ata vëzhgohen nga një grup tjetër njerëzish (audienca, publiku). Ata dyshojnë se janë të infektuar? Por, me çfarë virusi janë të kontaminuar? Çfarë do të ndodhë me ta? Si dhe kur do të përfundojë e gjithë kjo? Pak nga pak, mësojmë se kjo zhvillohet në një të ardhme të afërt ku “Big Brother” pushton botën dhe se arsyeja për këtë karantinë mund të mos jetë tërësisht e motivuar nga ana mjekësore. Le të shkojmë dhe të infektohemi së bashku, sepse ky virus nuk është edhe aq i tmerrshëm ndryshe nga kovidi famëkeq, të gjithë duam të qeshim, apo jo ?!