Ramë Lahaj me miqtë do t’i këndojnë lirisë

Edicioni i tretë i ‘’RLIOf’’-  Rame Lahaj International Opera Festival sivjet vjen me moton ”Opera për liri” ( Opera for freedom). Është festivali më i madh që ka Prishtina dhe që sjellë emrat më të njohur të operës duke performuar të gjithë në një natë gala, përkrah tenorit shqiptar me famë botërore Ramë Lahajt. Është festivali që e ka menduar ai dhe që përkujdeset bashkë me një ekip profesionistësh gjithçka të shkojë siç duhet, shkruan Portalb.mk.

Rame Lahaj International Opera Festival
Rame Lahaj International Opera Festival

Dy edicionet e para kanë shkuar shumë mirë, me ca lëshime të vogla të cilat janë të pritshme kur bëhet fjalë për një festival të ri që shkon drejt përsosjes. Festivali ka filluar me datë 21, me masterklase me emra të njohur si maestro Francisco Araiza, pasi ky festival target grup ka dhe të rinjtë që merren me muzikë duke u ofruar atyre të takojnë emra të njohur dhe të mësojnë prej tyre  e njëkohësisht të krijojnë kontakte e lidhje përmes të cilave nesër do të ndjekin rrugën e vet tenorit që e mba këtë ngjarje. Ai në takimin pritës që kishte me emrat pjesëmarrës të këtij festivali” shkruan në profilin e tij në Facebook.

‘’Nuk e kisha menduar kurrë që lumturia përjetohet deri në këtë horizont! Në tokën ku para pak vitesh kishte humbur edhe shpresa për jetë, sot zbarkojnë yjet e artit operistik dhe çdo profili tjetër. Kjo dëshmon se ky vend është i bekuar!’’

Ndërsa në fotografinë me maestro Araizan shkruan: ‘’Po Maestro, e dua vendin tim! Ky vend ka vuajtur shumë, prandaj ia kemi borxh kontributin secili prej nesh!’’

Rame Lahaj International Opera Festival
Rame Lahaj International Opera Festival

Aktiviteti ka vazhduar me ekspozitë, me tematikën “Opera për Liri” që është dhe slogani kryesor – duke mbështetur betejën e mbrojtjes së mjedisit krahas zgjidhjes së shumë konflikteve njerëzore – dhe  vjen me uratën, ‘’Rrnofsh sa malet’’!

Edicioni i tretë i ‘’RLIOf’’-  Rame Lahaj International Opera Festival kulmon më zërat më të bukur operistikë që po ashtu do t’i këndojnë lirisë në mes të sheshit të një shtetit që sapo ka dalë nga robëria. Por, siç shprehet organizatorja artistike e këtij festivali sopranoja e njohur Ulpiana Aliaj përmes këtij zhanri, pra operës dëshirojmë të shkojmë përtej lirisë së shprehjes dhe të paturit, lirisë në kuptimin e shpirtit të lirë.

Gala mbrëmja me miqtë e Lahës, për dallim nga vitet tjera sivjet mbahet në  natën e parë të programit muzikor, jo në fund, siç ka qenë viteve tjera. Nga Ulpiana Aliaj kuptojmë gjithashtu se festivali  bëhet verës shkaku që ta shijojnë këtë ngjarje edhe mërgimtarët. Lajmi i mirë është se ky festival është anëtarësuar në ‘’ Opera Europa’’ dhe ‘’ Fedora’’ që janë platforma evropiane për mbështetjen e operës dhe baletit.

Rame Lahaj International Opera Festival
Rame Lahaj International Opera Festival

Nata e fundit i dedikohet divës së muzikës Nexhmije Pagarushës. Në këtë natë bashkë me performues tjerë emrat e të cilëve mund t’i shihni në afishen e bashkangjitur me të gjitha detajet e programit, performon dhe sopranoja nga Maqedonia Besarta Murtezani e cila për Portalbin thekson: ‘’Ramë Lahaj International Opera Festival është ndër ngjarjet më të mëdha kulturore shqiptare. Në mungesë të institucionit të operës në Kosovë Ramë Lahaj në vendin e tij të vogël sjellë boten e madhe të artit operistik dhe kjo padyshim që është pritur krahëhapur për çdo qytetar të Kosovës, në veçanti për artistët e rinj të cilëve u jepet mundësia të shohin nga afër yjet e skenës muzikore, po ashtu dhe mundësia për të ndjekur masterklasë me pedagogë dhe emra të njohur të bukurkëndimit. Është edicioni i tretë me radhë dhe për interval  të shkurtër kohor, ky festival lirisht mund të themi se mund të krahasohet me festivalet dhe organizimet e mëdha që ndodhin nëpër botë. Si atdhetar që është dhe si adhurues i rrënjëve të tij Ramë Lahaj në kuadër të festivalit organizon edhe koncertin kushtuar bilbilit të këngës shipe Nexhmie Pagarushës, ku si qellim ka në çdo edicion të paraqiten artistë të ndryshëm dhe të këndohen të gjitha këngët e repertorit të divës sonë pa i përsëritur ato të edicioneve te kaluara. Është hera e parë që marr pjesë ne këtë festival dhe kam pranuar ftesën me shume kënaqësi duke ndjerë edhe privilegj dhe përgjegjësi njëkohësisht për të paraqitur sa më me dinjitet artin e shqiptarëve të këndej kufirit. Unë paraqitem me dy kënge edhe atë me “Kur më shkon si zog n’hava” dhe meqë jam pjesëmarrësja e vetme nga Maqedonia, mendova të sjellë një  këngë të bukur të Nexhmie Pagarushës “Pse po më tradhëton” këngë të cilën e ka kompozuar kompozitori ynë nga Shkupi Lorenc Antoni”- përfundon sopranoja Besarta Murtezani

Rame Lahaj International Opera Festival
Rame Lahaj International Opera Festival

Tenori kosovar Rame Lahaj, president i festivalit të vetëm operistik në vend, tha se Rame Lahaj International Opera Festival synon të promovojë gjithçka që lidhet me kulturën. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, nën patronatin e së cilit mbahet edicioni i 3-të i RLIOF, tha se ky festival po e shndërron kryeqytetin në vendtakim të yjeve të njohur të artit operistik.

Rame Lahaj International Opera Festival
Rame Lahaj International Opera Festival

Në edicionet e kaluara sheshi ka qenë përplot, me mijëra vende të stërmbushura dhe që është më interesantja më shumë kishte që e ndiqnin mbrëmjen nga ndërtesat, nga hapësira e teatrit në sheshin Skendërbe, nga të gjitha platformat që të jepnin pamjen dhe zërat, kjo pasi biletat shiten menjëherë, ndërsa edhe pse vendi i rezervuar nuk është i vogël, interesimi është shumë i madh. Vetëm nata gala ka bileta në shitje, ndërsa netët tjera hyrja është falas.