Rama thotë se s’ka telenovelë në raportet me Kurtin

Tirana dhe Prishtina s’i kanë bërë bashkë në dy muajt e fundit, por kryeministrat Albin Kurti dhe Edi Rama, do të jenë në një forum në Lubjanë, që është planifikuar të mbahet në fund të gushtit. Kryeministri i Shqipërisë nuk tregoi nëse do të takohet gjatë kësaj ngjarjeje me homologun e tij të Kosovës, po tek iu referua raporteve me të, tha se nuk bëhet fjalë për telenovelë. Tha se të dy janë sovranistë dhe se secili ka të drejtë të mbajë qëndrimet e veta, raporton Koha.net.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka justifikuar raportet e brishta me homologun e tij kosovar, Albin Kurti, duke thënë se të dy janë sovranistë dhe secili ka të drejtë të mbajë qëndrimet e veta.

Në vlugun e kërcënimeve ndërkombëtare në raport me Kosovën pas zhvillimeve në veri, Rama anuloi një mbledhje të përbashkët të qeverisë që ai udhëheq me atë të Kosovës. Pas kësaj, Kurti nuk e priti gjatë vizitës që i bëri Kosovës dhe nuk shkoi në Tiranë, gjatë një takimi që kryeministri i Shqipërisë e organizoi me homologë të vendeve të rajonit.

Megjithëkëtë, Rama tha se nuk ka probleme me Kurtin.

“Qëndrimet e mia, janë të mia, qëndrimet e Albinit janë të Albinit. Albini është sovran në detyrën e tij, unë jam sovran në të drejtën për të pas qëndrimet e mija, kaq. Nuk shoh asnjë problem këtu dhe nuk shoh asnjë telenovelë”, tha Rama në një konferencë për media të premten.

Prej përplasjes në distancë që kanë pasur më shumë se dy muaj më parë kur u anulua mbledhja e përbashkët e të dyja qeverive, Rama dhe Kurti nuk janë takuar ndonjëherë. Por, të dy janë ftuar në një forum që do të organizohet në Slloveni më 28 dhe 29 gusht.

Ai nuk ka treguar nëse do të takohet me Kurtin, në margjina të kësaj ngjarjeje.

“Për mua s’ka pasur, s’ka dhe nuk ka për të pasur ndonjëherë dyshim që kur njerëzit mund të takohen, duhet takohen, kur njerëzit duhet ftuar, duhet ftuar. Kaq. Tjerat janë pastaj telenovela mediatike”, shtoi ai.

Kurti nuk është i vetmi kryeministër i Kosovës me të cilin ka ngrirë raportet Rama. Në gjyq, ai pati akuzuar për shpifje Ramush Haardinajn derisa ishte kryeministër.