Rajoni i Tetovës i kapluar nga vërshimet (FOTO)

Reshjet e shiut të djeshme kanë vërshuar Tetovën dhe fshatrat përreth kështu duke shkaktuar dëme. Gjendja më kritike paraqitet në fshatin Tearcë dhe Neproshten, raporton Portalb.mk.

Vërshime në Komunën e Tearcës

Shiu i rrëmbyeshëm ka hyrë në bodrumet e disa shtëpive në fshatin Tearcë dhe Neproshten. Gjithashtu dëme janë shkaktuar në prona private në oborre si dhe në infrastrukturën rrugore publike. Portalb.mk dje dhe sot ka qëndruar në Tearcë dhe ka ndjekur gjendjen në terren.

Sipas kreut të Komunës së Tearcës bëhet fjalë për rreth dhjetë shtëpi të dëmtuara në fshatin Tearcë dhe po aq në fshatin Neproshten. Kryetari i kësaj komune – Nuhi Neziri premtoi se dëmet e shkaktuara nga vërshimet do të sanohen. Ndërsa Komuna njoftoi se qytetarët të cilët kanë pësuar dëme nga vërshimet mund të drejtohen në Arkivin e Komunës së Tearcës për procedura të mëtejme.

Më shumë informata rreth dëmeve në këtë komunë gjeni KËTU.

Dëmet nga vërshimet në Tearcë (06.07.2023). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Dëmet nga vërshimet në Tearcë (06.07.2023). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Vërshime në Komunën e Tetovës

Reshjet e shiut bllokuan disa rrugë edhe në Tetovë, pas së cilave kanë intervenuar Njësia e Zjarrfikësve për t’i pastruar të njëjtat nga uji i mbledhur.

“Pas reshjeve të rrëmbyeshme të shiut që mbrëmë kapluan Komunën e Tetovës dhe Tearcës, NJTKZ ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të pastruar rrugët dhe nënkalimet e përmbytura në Tetovë. Gjithashtu, ekipet e zjarrfikësve kanë qëndruar në komunën e Tearcës në shtëpitë e përmbytura të qytetarëve nga reshjet e fuqishme të shiut”, informoi Komuna e Tetovës.

Vërshime në Komunën e Tetovës. Foto: Komuna e Tetovës
Vërshime në Komunën e Tetovës. Foto: Komuna e Tetovës

Vërshime në Komunën e Zhelinës

Vërshimet prekën edhe vendbanimet e Zhelinës. Përmbytjet bllokuan rrugën e fshtarave Uzurmisht – Pallaticë. Uji u fut edhe në pronat private të qytetarëve.

“Kolegët e NPK “Mirëmbajtja” Komuna e Zhelinës, edhe gjatë ditës së sotshme ishin në teren afër qytetarëve të prekur nga reshjet e rrëmbyeshme të shiut në Uzurmisht, Trebosh, Pallaticë”, informoi kryetari i Komunës së Zhelinës – Blerim Sejdiu.

Vërshime në Komunën e Zhelinës. Foto: Komuna e Zhelinës
Vërshime në Komunën e Zhelinës. Foto: Komuna e Zhelinës

Përndryshe, mot i paqëndrueshëm është paralajmëruar edhe për ditët në vijim.