Vërshimet në Tearcë, kryetari Neziri: Kemi familje të cilëve u janë vërshuar shtëpitë

Kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri, me ekipin e tij kanë vizituar pjesët e prekura nga vërshimet që ndodhën pasditen e sotme në fshatin Tearcë, raporton Portalb.mk.

Në një deklaratë të shkurtër për Portalb.mk ai tha se ka dëme materiale dhe për momentalisht po punojnë ekipet në terren për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

Nuhi Neziri (kryetar i Komunës së Tearcës) në terren pas vërshimeve (05.07.2023). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Nuhi Neziri (kryetar i Komunës së Tearcës) në terren pas vërshimeve (05.07.2023). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Zjarrfikësit, policia, të gjitha shërbimet janë prezent. Mundohemi të ndihmojmë. Kemi familje të cilëve u janë vërshuar shtëpitë, veçanërisht podrumet, katet e para. Ta heqim ujin njëherë”, tha Neziri.

Ai shtoi se gjatë ditës së nesërme do të kenë pasqyrën më të qartë në lidhje me atë se sa shtëpi janë vërshuar, sa njerëz janë dëmtuar, çfarë dëme materiale ka.

Gazetari i Portalb.mk – Fisnik Xhelili nga terreni raportoi se nga të reshurat, fshati Tearcë ka ngelur pa rrymë elektrike, ndërkaq, rrugët janë dëmtuar. Gjithashtu, qytetarët janë ankuar për dëme të pronave private.

Në terren, janë kyçur edhe makineri të cilët ndihmojnë në stabilizimin e situatës, por edhe ekipet e EVN-së punojnë për të riparuar dëmet në rrjetin elektrik.

Rruga e cila kalon përgjatë Komunës së Tearcës, është e bllokuar dhe aktualisht aty po intervenon një ekskavator për ta liruar dhe pastruar nga gurët dhe balta.

Mediumi lokal Tearcainfo, ka shpërndarë disa video nga gjendja.

Mediat raportojnë se pasditen e sotme vërshime ka pasur edhe në disa qytete të RMV-së, si në Manastir, Shtip dhe Strumicë.