Dëmtime në Tearcë dhe Neproshten nga vërshimet, Komuna: Do sanohen dëmet drejtpërdrejtë në terren (VIDEO)

Ujë nëpër bodrume dhe gjithandej, murë i rrëzuar, oborre, kopshte dhe rrugë të dëmtuara, baltë dhe gurë gjithandej. Këto janë disa nga dëmet të cilat shkaktuan vërshimet e mbrëmshme në fshatin Tearcë dhe Neproshten të Komunës së Tearcës. Dëmet janë vetëm materiale në pronat private por edhe infrastrukturën rrugore publike. Qytetarët tregojnë dëmet që u janë shkaktuar, ndërsa nga Komuna e Tearcës premtojnë sanimin e dëmtimeve, shkruan Portalb.mk.

Kështu duket sot vendbanimi Tearcë – një ditë pas vërshimeve.

Vërshimet rrëzuan murin në shtëpinë e banorit nga Tearca, Isneriza Huseinit.

“Krejtë murin ma ka rrëzuar – 25 metra, edhe një pojatë ka qenë, një frigorifer, një makinë drunjsh, një për të larë rroba e kemi pasur aty. Jo brenda nuk ka hyrë, vetëm murin e ka rrëzuar dhe këtë pojatën. Nuk kishim ku të shkojmë. Ka hyrë për dritaresh pak. Jo, jo askush hiç (nuk kanë qenë të na vizitojnë nga komuna)”, tha Isneriza Huseini.

Ndërkaq, fqinjit të tij, Qamil Qamilit dhe vëllait të tij, nga vërshimet podrumet iu mbushën me ujë.

“Mbrëmë uji prej naltë erdhi nëpër dyert tona nëpër kanal, u mbush kjo u bë si liqen, na hyri uji nëpër podrume të dy shtëpive, mua edhe vëllaut tim andej, ja si që e shihni vet, dëme plotë. Para dhjetë minutash erdhi një komision prej komunës edhe e panë, do sjellin dikë për të punuar. Mund të them se dëmi është 400-500 euro, mund edhe më shumë nuk e di. Isha në shtëpi e pash të gjithën live. Problemi këtu është se nuk i bëjnë punët si duhet, ai kanali është i thellë bartë dy lumenj ujë por është mbushur dhe nuk e kanë pastruar dhe tani shpërthen ajo dhe na mori të gjithëve”, sqaroi Qamil Qamili.

Sipas vlerësimeve nga Komuna e Tearcës në bazë të intervenimeve që janë kryer mbrëmë, bisedohet për rreth dhjetë shtëpi të dëmtuara në fshatin Tearcë dhe po aq në fshatin Neproshten.

Pika më kritike mbrëmë ku është intervenuar është te lumi në fshatin Neproshten.

Kryetari i Komunës së Tearcës – Nuhi Neziri, sot deklaroi se këto vërshime i vunë para përgjegjësisë si komunë por edhe institucionet të tjera. Ai tha se do të sanohen dëmet drejtpërdrejtë nga terreni.

“Në fillim u morën hapat për të konstatuar objektet e banimit te të cilat ishte futur uji nga vërshimi dhe falë ndërhyrjeve të ekipit nga zjarrfikësit, arritëm që në ato shtëpi ku nga hapësirat banuese tërhoqëm ujin, kurse pjesa tjetër mbeti për tu pastruar. Sot në mëngjes patëm mbledhjen e jashtëzakonshme të Shtabit të Emergjencës ku ishin të pranishëm të gjithë anëtarët. Tash kanë ardhur të gjithë ekipet dhe kanë filluar të dalin në terren dhe të marrin një pas një të gjitha familjet, të gjitha objektet të cilat kanë pësuar dëmtime, të vlerësohet dëmi drejtpërdrejtë. Njëkohësisht do të bëhet azhurimi i të gjithë dëmeve drejtpërdrejtë nga terreni”, tha Nuhi Neziri.

Nuk ka ende një vlerësim konkret të dëmeve që janë shkaktuar. Neziri tha se ekipet janë në terren  dhe për këtë do të ketë shifër konkrete shumë shpejtë.

“Besoj se shumë shpejtë brenda ditës në bashkëpunim dhe koordinim me ekipin nga Policina dhe Prokuroria që ata kanë përcjellë ekspertë të vlerësimeve të dëmeve, atë do ta keni shumë shpejtë të nxjerrë edhe me shifra konkrete”, tha Nuhi Neziri.

Komuna njoftoi se qytetarët të cilët kanë pësuar dëme nga vërshimet mund të drejtohen në Arkivin e Komunës së Tearcës për procedura të mëtejme.

Ndryshe, vërshimet e pasditës së djeshme lanë edhe pa rymë fshatin Tearcë. Në terren mbrëmë për të sanuar dëmet dolën nga Komuna e Tearcës, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Qendra për Menayhtim me Kriza, Njësia e Zjarrfikësve, EVN-ja si dhe qytetarët.

Në videon më poshtë mund të shihni gjendjen e mbrëmshme nga vërshimet në Tearcë.