Radev pas bisedës me Siljanovska-Davkovën: RMV e gatshme të japë mbështetje në ballafaqimin me pasojat nga vërshimet

Republika e Maqedonisë së Veriut është e gatshme të japë mbështetje në ballafaqimin me pasojat nga vërshimet, ka deklaruar presidenti bullgar Rumen Radev pas bisedës telefonike që e ka pasur me kolegen e tij Gordana Siljanovska-Davkova, shkruan agjencia informative shtetërore e Bullgarisë BTA, njofton Portalb.mk.

“I falënderohem presidentes Siljanovska-Davkova për bisedën konstruktive telefonike dhe shprehjen e ngushëllimeve për viktimat nga vërshimet në Bullgari, si dhe për gatishmërinë e treguar të RMV-së që të japë mbështetje në ballafaqimin me pasojat nga katastrofa”, tha shefi i shtetit bullgar.

Biseda midis dy presidentëve vjen në periudhë kur Bullgaria po ballafaqohet me reshje intensive shiu dhe vërshime të cilët e kapluan një pjesë të madhe të rajoneve në vend, me ç’rast një pjesë e popullatës ka mbetur pa energji elektrike, ndërsa qasja deri te rajonet e goditura është e kufizuar.

Vërshimet, sipas informatave të fundit që i transmetojnë mediat bullgare, morën jetën e katër personave.

Aktivitetet ër raste urgjente vazhdojnë, ndërsa vullnetarët, ekipe ushtarake dhe sociale po punojnë në pastrimin e rrugëve, sigurimin e sigurisë së popullatës dhe kthimit të ritmit normal të jetës.