Nikolloski: Në dhjetor do zgjidhen kontraktorët për autostradat Shkup-Bllacë dhe Kërçovë -Bukojçan 

Pres që në dhjetor të zgjedhim kontraktor për ndërtimin e autostradave Shkup – Bllacë dhe Kërçovë – Bukojçan. Nëse kushtet atmosferike e lejojnë, puna do të fillojë menjëherë, nëse jo, puna do të fillojë në pranverë. Kështu ka thënë zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në Alsat duke folur për dinamikën e ndërtimit të autostradave në Korridorin 8, transmeton Portalb.mk

“Afati për dorëzimin e ofertave ka mbaruar, janë dorëzuar shumë oferta, për shkak të sekretit të procedurës nuk mund ta them numrin, por është mjaft i madh. Ka oferta serioze dhe të paktën tre prej tyre janë në kuadër të buxhetit për Shkup – Bllacë, ndërsa ka edhe tre oferta për autostradën Kërçovë – Bukojçan…Pres që në gjysmën e parë të dhjetorit të zgjedh një kontraktor dhe varësisht nga kushtet e motit, t’i vë në funksion, ndërsa afati i fundit atje është 2,5 vjet…. Puna do të fillojë në anën e Bukojçanit në pranverë dhe kjo do të jetë autostrada e parë që do të bashkohet përgjysmë”, tha mes tjerash Nikolloski. 

Ai gjithashtu njoftoi se në gjysmën e parë të dhjetorit do të lëshohen për qarkullim pjesët e reja të autostradës Kërçovë-Ohër.

Kujtojmë se më 6 nëntor 2025 midis RMV-së dhe Bullgarisë u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e tunelit ndërkufitar në Korridorin 8, lidhja hekurudhore pritet të përfundojë në dy vitet e ardhshme. Me këtë, të dy vendet përcaktuan aktivitetet dhe detyrimet e ndërsjella për ndërtimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar në Korridorin 8. 

Maqedonia dhe Bullgaria, pas një ngecjeje disamujore, arritën marrëveshje në nivel ministror në fund të qershorit për të ecur përpara me punën për lidhjen hekurudhore. 

Në mesin e korrikut të këtij viti, delegacionet i Maqedonisë dhe i Bullgarisë zhvilluan një takim të përbashkët në Bruksel, në të cilin u njoftua se do të shpallej tender për seksionin e tretë nga Bullgaria. Për projektin e përbashkët për ndërtimin e tunelit ndërkufitar midis Gjueshevës dhe Deve Bairit, të dyja palët ranë dakord të formojnë grupe pune për të finalizuar tekstin e marrëveshjes ndërqeveritare për fillimin e punimeve të ndërtimit në fillim të vitit të ardhshëm. 

Korridori 8, i cili lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, është pjesë e korridorit më të gjerë evropian të transportit Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor dhe ka mbështetje të fortë nga Bashkimi Evropian.