Qyteti i gjenive të artit (II)

UTOPISTI NË MES APOKALIPSIT. Në Salzburg jetoi gjatë kohë Stefan Zweig-u (1881-1942), autori i shumë veprave artistike dhe i monografive të letrarizuara, si ajo për Joseph Fouché-në, këtë politikan pa skrupuj moralë; për Magellan-in, këtë ekplorues të përçmuar nga atdheu i tij; për Balzac-un, këtë gjeni që s’iu ndanë mundimet gjatë jetës; për Erasmon e Roterdamit, që e trazonin në kullën e tij të fildishtë; për Dostojevskin, këtë ekzemplar të papërsëritshëm në letërsinë botërore; për Tolstoin, këtë gjeni me veshje muzhiku; për Casanov-ën, këtë mashtrues konteshash. Shkroi monografi edhe për Calvin-in, Montaigne-in, Marie Antoinette-n, Maria Stuart-in, Nietzsche-n, Freud-in, Dikens-in, Stendhal-in, Rolland-in etj.

Në librat e tij spikat stili i veçantë i të shkruarit, i lehtë, i qartë, i këndshëm.

Teksa i lexon monografitë, ke bindjen se lexon një kohë të kaluar, bashkë me heronjtë dhe antiheronjtë e saj…

Para shpërthimit të histerisë naziste, Zweig-u e quajti Salzburgun “qyteti më ideal” në Europë, sepse, për shkak të pozitës, i vendosur në skaj të Austrisë, shërbente si“trampolinë e duhur për në Europë”.

Ishte viti 1934. Policia trokiti në derën e shtëpisë së shkrimtarit paqësor dhe kërkoi armë! Sapo u larguan policët, Zweig-u i paketoi teshat dhe dorëshkrimet, aq sa mund të merrte me vete, dhe u largua përgjithmonë nga Salzburgu. Dhe kurrë nuk u rikthye.

Sot në Salzburg është qendra kulturore që mban emrin e tij. Aty mbahen leksione dhe konferenca akademike. Ajo e ka edhe bibliotekën e pasur, që shërben për qëllime kërkimore. Salzburgu sot e nderon shkrimtarin që iu dogjën librat; shkrimtarin që u zhgënjye kur e kuptoi se daltat e kulturës kishin pushuar së gdhenduri shpirtrat njerëzorë; kur e ndjeu se gjuha e botës së tij kishte perënduar; se atdheu i tij shpirtëror, Europa, po vetëshkatërrohej. Utopia e tij për një Europë më të mirë nuk u jetësua kurrë.

Zweig-u, si shumë ëndërrimtarë, besoi që nazistët s’mund të qëndronin gjatë kohë në pushtet, sepse do ta hanin njëri – tjetrin; se ideologjia naziste do të flakej nga njerëzit paqësorë. Ndodhi e kundërta. Nazistët vranë miliona njerëz të pafajshëm.

Zweig-u e ëndërroi një Europë të qetësisë, sigurisë, paqes, kulturës, qytetërimit, me atmosferë pajtimi shpirtëror, e hapur për të gjithë njerëzit që do të dëshironin të jetojnë aty, të cilët, në mënyrë të pandërgjegjshme, do të bëheshin qytetarë mbikombëtarë, qytetarë të botës.

Zweig-u vetëquhej europian, kurse Europën e quajti “shtëpia e zemrës së tij”. Aq shumë ëndërroi shkrimtari sa sot quhet “utopisti në mes apokalipsit”.

Besimi i patundur për një Europë më të mirë e çoi drejt fundit tragjik. Kur e kuptoi se idealet e tij ishin shterur, se Europa kthehej mijëra vjet në planin moral, ai e braktisi jo vetëm Europën, por edhe këtë botë. Bashkë me gruan, i dha fund jetës në mënyrë tragjike në Brazil. Ishte viti 1942.

Europa e bukur sot gjendet përballë sfidës më të madhe që prej Luftës së Dytë Botërore. 

POETI I HESHTJES. Në Salzburg lindi edhe Georg Trakl-i (1887–1914), një emër i rëndësishëm i letërsisë gjermane, europiane dhe botërore. Poezia e këtij ëndërrimtari të errët, shpesh të paqartë, është e mbushur me qetësi, heshtje, frymë, muzg, natë të përshpirtshme vjeshtore e dimërore, pyje, melankoli, makthe, mjegull, hije hyjnore, hënë, ngjyra shpirti, pashprehshmëri dhe shfaqje të figurës së motrës…

Është shkruar shumë për vështrimin e Traklit. Një vështrim që shtrihej përtej kohës, botës, jetës dhe arrinte në yjësi të largëta të universit shpirtëror. Nëpërmjet vështrimit të tij zbulojmë përmasa që nuk i kemi njohur më parë.

Është mahnitëse poezia mbi betejën e Grodekut. Poeti, që lëndohej nga klithjet e të plagosurve, deshi t’i jepte fund jetës, derisa i shihte luftëtarët si vdisnin rrugëve që çonin drejt një shkatërrimi të zi.

Ashtu si Zweig-u, edhe Trakli, nëpërmjet kësaj poezie të errët, e parashikoi luftën që njerëzimin dhe shoqërinë do ta çonte drejt shkatërrimit. Vdiq i mbidozuar nga kokaina. Ishte 27 – vjeçar. 

ARTISTË, SHKENCËTARË E MISIONARË. Në Salzburg lindën ose jetuan në shekuj të ndryshëm kompozitorët Heinrich Biber, Johann Michael Haydni, i vëllai i kompozitorit Joseph Haydn, Ignaz Assmayer-i, kompozitori bashkëkohor Klaus Ager-i dhe dirigjenti Herbert von Karajan-i, por edhe piktorët Hans Makart-i, emrin e të cilit e mban një shesh i qytetit dhe Ludwig Hans Fischer-i.

Ka edhe emra të tjerë të rëndësishëm që lidhen me këtë qytet, sikurse: Paracelsusi, alkimist i Rilindjes Gjermane; Christian Doppler-i, zbuluesi i efektit Doppler, mbreti Otto i Greqisë, Theodor Herzl-i, i njohur si babai i sionizmit politik modern.

Në Salzburg debutoi si regjisor Max Reinhardt-i, emri i të cilit lidhet ngushtë me gjeniun e skenës, Aleksandër Moisiun.

Në këtë qytet studioi Krist Maloki, kurse Bernardin Palaj dhe Aleks Buda aty e kanë kryer shkollën e mesme. Po në Salzburg janë botuar disa vepra të Kadaresë, që shiten në libraritë e shumta të kësaj qendre kulturore. 

QYTETI SI AJSBERG. Në qytetin me shumë monumente kulture, me qendra sportive, terrene për skijim, kopshte zoologjike, restorante dhe hotele, ruhen e afirmohen veçantitë kulturore të zonës. Shiten si aksesorë këmbora e veshje tradicionale dhe reklamohet djathi i zonës.

Salzburgu është qytet me letërnjoftim. E ka pjesën e dukshme dhe të padukshme. Se qyteti nuk është vetëm ai që duket. Qyteti është si ajsberg. Është edhe e padukshmja që përjetohet. Janë rrugët e vjetra me gjurmë hapash shekujsh të kaluar. Janë tempujt, pragu i të cilëve, siç tha Mircea Eliade, është kufiri ku kalohet nga përmasa tokësore në përmasën hyjnore. Janë bibliotekat, ku nga përmasa e zhgjëndrrës kalohet në përmasën e ëndrrës. Janë muzetë, ku më shumë shohim duke i mbyllur sytë.

Qytetin e vrasin ata që mburren me ndërtimet e reja dhe njëkohësisht ia humbin gjurmët e së kaluarës. E shpërfytyrojnë ata që flasin për rilindjen e tij. Një qytet nuk rilind nëse është vrarë. Shkatërrimi i hapësirave publike dhe i monumenteve historike e kulturore është shkatërrim i identitetit të një qyteti. Është i mjerë qyteti ku vendësit nuk ia njohin historinë dhe kulturën.

Identiteti urban, sipas një përkufizimi gjithëpërfshirës, e nënkupton karakterin dhe thelbin kulturor urban, të formuar përgjatë historisë, që ndikon në ndjenjën e përkatësisë së banorëve.

Qyteti pa identitet është vendbanim i zakonshëm ku sundon rutina, bezdia dhe banaliteti.

Ka qytete ku njerëzit ëndërrojnë të rikthehen, pasi largohen. Ka edhe qytete ku banorët ëndërrojnë të ikin prej aty.

Qyteti nuk është jashtë nesh, por brenda nesh. Nëse qytetin nuk e kemi brenda nesh, atëherë e kemi braktisur edhe pse jetojmë aty.

Në qytetet pa identitet ditët janë të lodhshme dhe pa sens, kurse stinët janë të tejmbushura me trishtim dhe mërzi.

Për të dalë nga perandoria e bezdisë dhe e banalitetit duhet të udhëtosh. Kur shpirtin ta pushton zbrazëtira e pafundme, duhet të udhëtosh. Kur sytë shohin vetëm marioneta që flasin me klishe dhe me gjuhën e drunjtë, është koha të udhëtosh drejt vendeve ku njerëzit nuk vdekërojnë mes refreneve dhe përsëritjeve. Aty të kënaqesh me detaje që syve u shfaqen për herë të parë. Të endesh pa adresë dhe të bredhësh rrugëve që nuk t’i njohin bëmat. Sa e mrekullueshme është kjo mosnjohje!

Në vendet pa gjurmë tënden shijo çastet që i mungojnë atdheut! Ec rrugëve që të çojnë drejt vendeve që kurrë nuk i ke parë! Në secilën rrugë zbuloje të panjohurën, pa pasur frikë nga asnjë shikim, sepse kush i frikësohet të panjohurës nuk e di ç’është jeta! Kënaqu në vogëlsinë tënde, pa asnjë tundim Uliksi, edhe pse diku të pret një Penelopë! Mos i mbyll veshët që të mbrohesh nga zëra sirenash! Mos ki frikë të ushqehesh me zambakët që të shpëtojnë nga kujtesa! Shijo këtë përkohësi të përjetshme dhe të magjishme! Zhytu në pasigurinë e rrugëve të panjohura, pa dëshirën të takosh njerëz që i njeh! Njih veten! Vizito Salzburgun!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.