Qytetarët u panë në pasqyrë dhe u ballafaquan me gjuhën e urrejtjes, intervenim artistik publik në Shkup

Banorët e Shkupit kishin sot mundësi të shohin tre pasqyra të mëdha të vendosura në hapësirën qendrore të qytetit, në sheshin e vogël te “Kim” në portën “Bunjakovec”. Ata ishin pjesë e aksionit me titull “Pasqyra”e cila paraqet një intervenim publik artistik, qëllimi i së cilës është të nxisë vetëdijen personale dhe shoqërore për gjuhën e urrejtjes, njofton Portalb.mk.

Organizatorët e aksionit përmes pasqyrave e ftojnë publikun të ndalet, të shikohet në pasqyrë dhe të reflektojë mbi fjalët, zakonet dhe qëndrimet e veta.

“Në vend që të japin udhëzime apo vërejtje, pasqyrat ofrojnë në mënyrë delikate pyetje dhe mesazhe që lexohen vetëm nga afër, duke krijuar një moment intim të vetë-ekzaminimit.

Pasqyra e parë thekson pasojat e gjuhës së urrejtjes, duke kujtuar se edhe fyerjet më të vogla mund të lëndojnë dhe të krijojnë një kulturë armiqësie.

E dyta fokusohet në bazat e shpeshta mbi të cilat përhapet urrejtja:  kombëtare, fetare, etnike, politike dhe seksuale duke e nxitur kalimtarin të njohë sa lehtë komunikimi i përditshëm mund ta riprodhojë atë negativitet.

Pasqyra e tretë paraqet konstruktet më tipike të gjuhës së urrejtjes, me një mesazh të qartë se përsëritja ose normalizimi i shprehjeve të tilla e ushqen dhunën dhe minon kohezionin shoqëror.” thonë nga organizata Media Inovative.

Me këtë vendosje, kalimtarët fjalë për fjalë “përplasen” me fytyrën e tyre të pasqyruar dhe me mundësinë për të reflektuar nëse kanë përdorur ndonjëherë një shprehje që lëndon, poshtëron apo stigmatizon të tjerët. Instalacioni krijon një ndërveprim të qetë, por të thellë,  një moment sinqeriteti midis njeriut dhe vetes.

Sipas tyre, qëllimi i aksionit “Pasqyra” nuk është të gjykojë, por të inkurajojë: të nxisë qytetarët të zhvillojnë empati, të njohin peshën e gjuhës që përdorin dhe të bëhen pjesëmarrës aktivë në krijimin e një shoqërie më humane, më të sigurt dhe më të lidhur.

Aksioni ishte i përgatitur nga Qendra për Arte Bashkëkohore – Shkup, në kuadër të projektit Rrjeti për Diversitet 2.0 – Agjenda e Re, të cilin e zbaton Shoqata për Avancimin e Praktikave të Gazetarisë “Media Inovative – Shkup”.

Aksione guerile të tjera nga kjo shoqatë: