U shënua Dita e Policisë së Maqedonisë së Veriut

Në komunën e Shkupit, Aerodrom, sot u mbajt festimi qendror për shënimin e 7 majit, Ditës së Policisë së Maqedonisë, me fjalime të kryesisë së MPB-së, si dhe ekspozitë dhe prezantim të pajisjeve të njësive të ndryshme policore, transmeton Portalb.mk.

Në këtë ngjarje morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë Teknike, Pançe Toshkovski dhe zëvendësministri shtesë i Punëve të Brendshme, Mitko Bojmacaliev. Të dy shprehën qëndrimet e tyre për kushtet e punës së policisë dhe sfidat e profesionit, duke përgëzuar punonjësit dhe përkushtimin e tyre në këtë detyrë.

Toshkovski tha se me ardhjen në pozitën e ministrit është përballur me kushte jo dinjitoze të punës së policisë, por edhe me dëshirë të pamasë për kryerjen profesionale dhe të ndershme të detyrës policore.

“Kam një kohë të shkurtër në institucion, por mjaftueshëm sa për të parë se ka njerëz që punojnë për të mirën e atdheut. Prandaj, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme, mund të them vetëm një falënderim të madh për zyrtarët që u përfshinë në çdo mënyrë në procesin zgjedhor. Gjithashtu, në këto 100 ditë pata rastin të shoh drejtpërdrejt dhe konkretisht jo vetëm shkallën e përgjegjësisë dhe rëndësinë e punës së policisë, por edhe në përgjithësi rëndësinë e përgjithshme të shumëanshme të këtij institucioni”, theksoi Toshkovski.

Nga ana tjetër, Bojmacaliev në fjalimin e tij theksoi se në periudhën e kaluar institucioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme është rritur nga një i mbyllur dhe jo transparent në atë më transparent.

“Në periudhën e kaluar është investuar përkushtim, dije, mund, kuadro dhe ngritje teknike. Të gjitha këto e bëmë si në drejtim të monitorimit të vazhdueshëm të tendencave në operacionet policore, ashtu edhe në drejtim të efektivitetit maksimale në funksionimin e sistemit kompleks të sigurisë. Shoqëria moderne demokratike i nënshtrohet ndryshimeve dhe përshtatjeve dinamike të vazhdueshme në përpjekje për të ecur në hap me trendet moderne, ndaj profesioni i policisë përballet çdo ditë me sfida të panumërta, të cilat transformohen dhe përmirësohen, duke na vënë përballë nevojës për zgjidhje të reja dhe kreative”, tha Bojmacaliev.

Në shënimin e Ditës së Policisë së Maqedonisë morën pjesë edhe përfaqësues të trupit diplomatik në vend.