“Qytet i sigurt” regjistroi gati 300 shkelje në dy ditët e para të funksionimit në Ohër, Strugë, Kërçovë dhe Dibër
Gjithsej 296 kundërvajtje në trafik janë regjistruar përmes sistemit të mbikëqyrjes së trafikut “Qytet i sigurt” në rajonet e Ohrit, Strugës, Kërçovës dhe Dibrës, gjatë dy ditëve të para të funksionimit të tij, njoftoi Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Ohër, transmeton Portalb.mk.
Më 12 tetor, në ditën e parë të funksionimit të sistemit, u regjistruan 148 kundërvajtje, ndërsa po aq u evidentuan edhe më 13 tetor, deri në orën 19:00.
Pjesa më e madhe e kundërvajtjeve kanë të bëjnë me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar brenda dhe jashtë vendbanimeve, kalimin në semafor me dritë të kuqe dhe drejtimin e automjeteve të paregjistruara.
Nga SPB Ohër informojnë se të gjitha kundërvajtjet janë dokumentuar, ndërsa pronarëve të automjeteve u dërgohen njoftime përmes SMS-ve dhe postës elektronike.
Policia u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që t’i respektojnë rregullat e trafikut dhe sinjalizimin rrugor, duke theksuar se qëllimi i sistemit është rritja e disiplinës në trafik dhe sigurisë në rrugë.
Sistemi “Qyteti i Sigurt” për evidentimin automatik të kundërvajtjeve në trafik funksionon që nga 1 shkurti i këtij viti, ndërsa deri më tani janë evidentuar mbi me mijëra kundërvajtje në trafik.
Në fazën e parë ‘Qyteti i Sigurt’ filloi vetëm në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10.