QMK: Pas reshjeve të dendura, uji në Gostivar nuk është i pijshëm
Në Qendrën e Menaxhimit të Krizave (QMK), sipas raportit të fundit, në numrin e emergjencës 112 në 24 orët e fundit janë regjistruar 2 142 thirrje dhe nuk ka pasur zjarre të hapura, transmeton Portalb.mk.
QMK informon se dje nga ora 9:30 deri në ora 10:15 katër zjarrfikës me një mjet zjarrfikës nga njësiti i brigades së zjarrfikësve Veles kanë nxjerrë një grua nga një shtëpi e shembur. Gruaja ka marrë lëndime të lehta dhe me autoambulancë është dërguar në spitalin e Velesit.
Zjarrfikësit e Kumanovës dje nga ora 12:08 deri në ora 12:30, gjatë një aksidenti trafiku në afërsi të Shtëpisë së të Moshuarve “Zafir Saito” kanë nxjerrë një person nga automjeti. Personi, siç thuhet, ka pasur lëndime të rënda trupore.
Zjarrfikësit nga Tetova kanë pasur dy intervenime teknike për pompimin e ujit në vendbanimin e Tetovës Dereboj, afër nënkalimit për në fshatin Falishë dhe pompimin e ujit në shtëpinë e përmbytur në të njëjtin vendbanim.
“NKP “Sharr” nga Tetova njofton QMK-në se për shkak të ndotjes së ujit në burimet e Leshnicës, sistemi i filtrimit të Leshnicës për momentin është plotësisht i mbyllur, dhe qyteti i Tetovës furnizohet me sasi të reduktuar të ujit. Ekipet e NKP “Sharr” janë në terren për zgjidhjen e shpejtë të problemit. Ata njoftojnë se do të ketë kufizim uji në ujësjellësin e qytetit nga ora 13:00 deri në orën 15:00 dhe në periudhën nga ora 01:00 deri në orën 16:00.
Nga NP “Komunale” nga Gostivari, në QMK është marrë njoftim se për shkak të kontaminimit të shkaktuar nga reshjet e dendura, analizat e fundit fiziko-kimike dhe mikrobiologjike konfirmojnë se uji nga rrjeti publik i ujësjellësit aktualisht nuk është i sigurt për pije.
“Deri në njoftimin e mëtejmë nga NP “Komunale” nga Gostivari të mos pihet uji nga çezma, nga ujësjellësi”, informojnë nga QMK.