QMK: Dje në Maqedoninë e Veriut ka pasur njëkohësisht reshje shiu dhe zjarre

Qendra e Menaxhimit të Krizave (QMK) njoftoi se në pjesën veriore të RMV pati reshje të dendura lokale, të cilat më pas u përhapën në pjesën perëndimore, ndërsa në të njëjtën kohë në pjesën juglindore të shtetit pati zjarre, të cilët për shkak të erërave të forta u përhapën shpejt në mënyrë të rrezikshme, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

“Praktikisht dje ka pasur zjarr dhe reshje shiu në terren në të njëjtën kohë. Nga njëra anë, shira të rrëmbyeshëm, bodrume të përmbytura, rrëshqitje në rrugë dhe rrëshqitje dheu, dhe nga ana tjetër, në ajër të hapur kanë shpërthyer gjithësej 14 zjarre të rrezikshme dhe janë përhapur me shpejtësi të madhe, tek të cilat kanë ndërhyrë zjarrfikësit dhe i kanë shuar”, njofton QMK.

Nga reshjet e dendura të shiut, që kanë përfshirë Komunën e Dibrës dhe rrethinën e saj janë përmbytur disa bodrume në lagjen “Venesit 2” dhe në pjesën tjetër të qytetit, ku në terren dolën ekipet e Kompanisë publike “Standard” dhe zjarrfikësit nga Reparti territorial i zjarrfikësve (RTZ) Dibër. Nuk janë regjistruar dëme të mëdha materiale.

Për shkak të reshjeve të dendura në fshatin Kosovrast i Poshtëm, lumi që vjen nga zona e Kosovrastit të Epërm doli nga shtrati i tij dhe përmbyti rrugën dhe pjesën përreth, duke sjellë gurë dhe baltë në sipërfaqe.

“Në vendin e ngjarjes është intervenuar menjëherë me një makinë ndërtimore – buldozer nga “Knauf Dibër” dhe me kamionë privatë, pas së cilës rruga dhe shtrati i lumit është pastruar”, thonë nga QMK.

Nga ana tjetër, zjarre ka pasur në hyrje të fshatit Zheganc të Komunës Çeshinovë – Obleshevë. Zjarri ka shpërthyer me shpejtësi dhe ka rrezikuar banesat. Janë njoftuar zjarrfikësit e RTZ Koçan, të cilët kanë lokalizuar dhe më pas kanë fikur zjarrin.

Në numrin 112 në QMK është paraqitur një zjarr në terren të hapur në vendin e njohur si “Trafostanicë – Dubrovë” (Komuna e Negotinës), i cili sipas ankuesit ka qenë i përmasave të mëdha. Menjëherë në terren kanë dalë zjarrfikësit nga RTZ Negotinë. Në territorin e fshatit Dubrovë digjej bar i thatë dhe pylli. Për shkak të erës së fortë zjarri është përhapur me shpejtësi të madhe. Në terren kanë ndërhyrë 15 zjarrfikës.

Zjarret e tjera të shuara në hapësirë ​​të hapur, ku është djegur kashtë, bar ose pyll, ishin në Manastir, Prilep, afër fabrikës “Microsam”; Komuna e Vasilevës, afër fshatit Vasilevë; Komuna e Vallandovës, afër fshatit Marvinci; Komuna e Dellçevës, 2 zjarre – një në mes të fshatrave Svegor dhe Gabrovo dhe një afër fshatit Krupishte; Komuna e Karbincit, në zonën e fshatit Karbinci dhe në Komunën e Kumanovës.

Qendra e Menaxhimit të Krizave (QMK) apelon që rastet e këtilla të denoncohen në numrin e telefonit të emergjencës, 112. Gjithashtu apelon që të shmanget lëvizja përgjatë shtretërve të lumenjve dhe rrugëve të thata.

Numri i zjarreve në Maqedoninë e Veriut këtë vit ka qenë alarmant, me numër rekord 60 zjarre për një ditë në muajin shtator. Një muaj më pas QMK organizoi një stërvitje të madhe për raste tërmeti dhe krizash.