Qeveria ndërpreu marrëveshjen për fabrikën e veturave elektrike në Tetovë

Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, si përfaqësuese e Qeverisë në Marrëveshjen për ndarjen e ndihmës shtetërore me kompaninë e.Go për ndërtimin e fabrikës së veturave elektrike në Tetovë, bën të ditur se ndërpritet zbatimi i Marrëveshjes dhe çdo procedurë e parashikuar për ndarjen e fondeve publike, transmeton Portalb.mk.

Kjo drejtori informoi se ndërprerja e dhënies së ndihmës shtetërore vjen pas marrjes së informacionit publik në lidhje me kërkesën e paraqitur për falimentimin e kompanisë “mëmë” në Gjermani.

“Kërkesa është dorëzuar në gjykatat kompetente në këtë vend. Me këtë, Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, si përfaqësuese e Qeverisë, aktivizon mekanizmat mbrojtës në kontratën e nënshkruar, të cilat parashikojnë edhe këto rrethana (falimentim, likuidim), si parakusht për ndalimin e dhënies së ndihmës shtetërore”, informojnë nga Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale.

Ata theksuan se përkundër kërkesave të investitorit, deri më tani nuk i janë ndarë mjete kompanisë.

“Për të gjitha hapat e mëtejshëm lidhur me këtë projekt dhe aktivitetet e mëtejshme lidhur me realizimin e mundshëm, Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, si përfaqësuese e Qeverisë në këtë kontratë, si edhe më parë, do të veprojë plotësisht në mbrojtje të interesit publik dhe do të ofrojë informacion në kohën e duhur”, përfunduan nga kjo Drejtori.

janar 2024 Portalb.mk riaktualizoi këtë problematikë se përse nuk kanë filluar ende punët në terren, por nga institucionet shtetërore nuk jepnin përgjigje se ku ka ngecur procedura, ata bartnin përgjegjësi te njëra tjetra, pavarësisht se investimi u mor me shumë vrull.

Nga e thëna në të bërë ka një mal të tërë: Shumë premtime, (as)pak aktivitete në terren

Në seancën e Qeverisë të RMV-së me 11 gusht 2022 u miratua ndihma shtetërore për fabrikën e re me teknologji bashkëkohore për prodhimin e veturave elektrike në Zonën zhvillimore teknologjike – industriale në Tetovë.

Ndërkaq për të shënuar fillimin e punimeve të cilat nuk përfunduan asnjëherë deri më tani, Qeveria e RMV-së e udhëhequr nga ishkryeministri Dimitar Kovaçevski më 13 gusht 2022 u mblodhën në Tetovë në Zonën për Zhvillim Industrial dhe Teknologjik.

Pesë muaj më vonë, me 30 janar 2023 drejtori i Zonës Teknologjike Industriale Zhvillimore, Jovan Despotoski, shpjegoi se ka pasur problem me parcelën ku u vu gur themeli dhe se ishte gjetur zgjidhje në një parcelë pranë saj dhe se punimet do fillojnë së shpejti, kurse premtoi se do përfundojnë në afatin e paraparë në vitin 2024.

Dy muaj më vonë, me 24 mars 2023, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se për një muaj do të fillonte ndërtimi, por as kjo nuk u bë.

Me 6 prill 2023, kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi se fabrika për automjete elektrike në zonën në Tetovë në pajtim me marrëveshjen nuk ka marrë asgjë si ndihmë shtetërore dhe nuk do të marrin ndihmë derisa nuk fillojnë me aktivitete.

Ndërsa një vit pas hedhjes së gur themelit, opozitarja VMRO-DPMNE me 12 gusht 2023 pyeti pushtetin, LSDM-në dhe BDI-në se ku është kjo fabrikë që ata e premtuan dhe e shënuan me festë.

janar 2024 institucionet bartnin përgjegjësinë te njëra tjetra për procedurën se ku ka ngecur ky proces.

Përndryshe, investim shumëmilionësh i NEXT.E.GO MOBILE SE, Ahen, Gjermani në TIRZ Tetovë pritej të hapë tre deri në katër mijë vende të reja pune.