U ndanë çmimet “Gruaja Evropiane e Vitit” 2024 në RMV, Elmedina Abdulahi një ndër to 

Ekipi Evropa dhe OKB-ja në Maqedoninë e Veriut sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ndanë çmimin “Gruaja Evropiane e Vitit” 2024 për shtatë gra nga vendi, raporton Portalb.mk.

Këtë vit, shtatë gra nga vendi nga fusha dhe profesione të ndryshme u dekoruan me këtë çmim, edhe atë:

  1. Elmedina Abdullahi, aktiviste për mjedis nga Tetova – e përfaqësuar nga Sofia Filipidou, ambasadore e Greqisë.
  2. Almira Faslji Muarem, aktiviste rome nga Shkupi – e përfaqësuar nga Shkëlqesia e saj, Petra Dreksler, ambasadore e Gjermanisë.
  3. Maria Duda Dibiaxhio, sipërmarrëse nga Kriva Pallanka – e përfaqësuar nga z. Bjorn Gabriel, shef i Përfaqësisë së BEI.
  4. Katerina Koteska-Stisniovska, avokate nga Manastiri – e përfaqësuar nga Hoze Luis Lozano Garcia, ambasador i Spanjës.
  5. Gresa Mustafai,sportiste nga Struga – e përfaqësuar nga Gregor Presker, ambasador i Sllovenisë.
  6. Ana Vitanova Ringaçeva, profesoreshë universitare nga Strumica – e përfaqësuar nga Ami Larson Zhain, ambasadore e Suedisë.
  7. Daliborka Zlateva,avokate për persona me aftësi të kufizuara nga Velesi – e përfaqësuar nga znj. Rosana Duxhiak, koordinatore e përhershme e OKB-së.

“E guximshme, energjike, e patrembur, e përkushtuar, këmbëngulëse… Nuk kishte fjalë për të përshkruar të 7 kandidatet për gruan evropiane të vitit. Të gjitha po aq të jashtëzakonshme, dhe secila e veçantë në mënyrën e vet. Sot secila prej tyre mori çmimin Gruaja Evropiane e vitit. Ata janë forca lëvizëse në shoqëri që thyen kufijtë dhe stereotipat. Këto luftëtare janë një shembull i vërtetë që lufta për barazi nuk është vetëm në 8 Mars me një lule në dorë, por vazhdon çdo ditë”, thanë nga Delegacioni i BE-së.

“Gruaja Evropiane e Vitit” është çmim i krijuar në vitin 2022 nga Delegacioni i Bashkimit Evropian për të njohur dhe promovuar barazinë gjinore dhe mundësitë e barabarta si vlera themelore të BE-së. Edicioni i dytë për vitin 2024 u organizua nën kujdesin e Ekipit Evropa dhe Përfaqësimit të OKB-së në Maqedoninë e Veriut.