Platforma Antikorrupsion i reagoi Mickoskit për Ristoskën: Deklarata të tilla krijojnë rrezik për ndikim politik në proces

Kryeministri Hristijan Mickoski në TV Kanal 5 tha se prokurorja Lençe Ristoska nuk është kandidate që Qeveria po e shqyrton për pozicionin e prokurorit publik të shtetit. Ai shtoi se pozicioni përfundimtar do të shpallet pasi Qeveria të shqyrtojë dokumentet zyrtare. Pas deklaratës së kryeministrit, Platforma e organizatave civile për luftën kundër korrupsionit dhe Ristoska dolën me reagime, transmeton Portalb.mk.

“Nuk mund të shpreh pikëpamje personale pa parë procesverbalin”, tha ai.

Pas deklaratës së kryeministrit, Ristoska doli me reagim.

“Kur një kandidat përjashtohet paraprakisht pa analizuar programin dhe rrugën e tij profesionale, kjo ngre pyetje në lidhje me natyrën e kritereve që zbatohen. Jam e bindur se një zgjedhje e kësaj rëndësie duhet të bazohet në cilësi, jo në përshtatshmëri. Profesionistët në sistem duhet të dinë se puna dhe ekspertiza e tyre janë e vetmja monedhë që duhet të vendosë. Përndryshe, rrezikojmë të dërgojmë mesazh se pavarësisht nga kompetenca, përshtatshmëria është parësore – dhe kjo nuk është rruga që duhet të ndjekë një shoqëri demokratike”, reagoi Ristoska.

Ndaj deklaratave publike të Kryeministrit në lidhje me procedurën për zgjedhjen e prokurorit publik shtetëror ka reaguar Platforma e organizatave civile për luftën kundër korrupsionit.

“Theksojmë se deklaratat publike të Kryeministrit, të cilat paraprakisht përjashtojnë kandidatë të caktuar, në një fazë kur Qeveria ende nuk ka marrë një vendim, krijojnë rrezik për ndikim politik në proces. Sidomos duke pasur parasysh se bëhet fjalë për kandidatë për të cilët tashmë është konstatuar se i plotësojnë kriteret ligjore, deklarata të tilla mund të cenojnë besimin në trajtimin e barabartë dhe në integritetin e procedurës. Zgjedhja e prokurorit publik shtetëror nuk është një vendim politik, por një vendim institucional me pasoja të rëndësishme në sundimin e ligjit dhe sistemin e drejtësisë penale. Prandaj, presim që Qeveria të veprojë me përgjegjësi, të udhëhiqet ekskluzivisht nga kriteret ligjore dhe vlerësimet e ekspertëve, dhe të sigurojë transparencë në marrjen e vendimit përfundimtar”, thuhet në reagim.

Këshilli i Prokurorëve Publikë dha mendim pozitiv për katër nga pesë kandidatët për prokuror publik të shtetit. Mendime pozitive iu dhanë prokurores publike të shtetit në detyrë Anita Topolova-Isajllovska, prokurores Lençe Ristovska, gjyqtarit nga Gjykata Penale, Nenad Savevski, dhe prokurores nga Prokurora Shkupit, Lidija Raiçeviq.

Vendimi i Ristoskës për të kandiduar për pozicionin e prokurorit të ri publik shtetëror dhe formalisht për të qenë një nga pesë kandidatët erdhi në një kohë kur ajo është në konflikt të hapur me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe partinë në pushtet VMRO-DPMNE.

Kujtojmë se, Ristoska është prokurore në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup dhe prokurore për ndërlidhje me Eurojust. Ajo ishte gjithashtu pjesë e ekipit të Prokurorisë Speciale Publike (PSP), tashmë inekzistente. Prokurorja ende po përfaqëson dy akuzat para Gjykatës Themelore Penale në Shkup – “Talir 1” dhe “Talir 2” kundër ish-zyrtarëve të VMRO-DPMNE dhe kundër partisë si person juridik për financimin e saj të paligjshëm, për të cilin po kërkohet edhe konfiskimi i selisë së partisë.

Ajo kohët e fundit ngriti padi kundër partisë në pushtet VMRO-DPMNE, e cila në tetor të vitit të kaluar në një deklaratë e quajti atë ish-“yll” të PSP-së së dështuar, kritikoi punën e saj prokuroriale, duke e akuzuar atë për marrjen e bonuseve në një kohë kur shteti po mbytej në padrejtësi. Në fillim të vitit, ajo kërkoi që kryeministri Mickoski t’i kërkojë falje dhe paraqiti një raport në Këshillin e Prokurorëve Publikë për shkak të akuzave të tij në një intervistë për portalin Veçer.mk, në të cilën ai e quajti mediokre dhe iu përgjigj pozitivisht deklaratës së gazetarit se ishte një matricë klienteliste-politike.